Për shumëkënd mund të jetë një “mister” i madh kapja e një anije me 2 200 ton naftë kontrabandë në Durrës, ashtu siç mund të jetë “mister” për ministrat ngritja e kullave pa leje mu para zyrave të tyre, por nuk do të thotë që të gjithë do të luajnë kukafshehti nga njëra anë dhe nga ana tjetër të mbushin xhepin në Shqipëri.
Ka disa institucione, qoftë edhe të huaja që deri diku nuk do të lenë që oligarkë si Shefqet Kastrati ta marrin naftën thuajse falas dhe t’ua shesin shqiptarëve më shtrenjtë se kudo në Europë dhe botë.
Më poshtë, Gazeta Jonë ju sjell ekskluzivisht historinë e vërtetë të kapjes së 2 200 tonëve naftë koontrabandë në Durrës dhe si fshihet pas saj pikërisht oligarku pranë qeverisë, Shefqet Kastrati:
Historia nis në 8 shtator kur anija me flamur të Kamerunit “Queen Majed” niset nga porti i Bengazit pas një porosie të marrë nga kompania “Kastrati Group” për 2 275 ton naftë, prodhim i Libisë. Ndërkohë që anija i afrohej ujërave të Shqipërisë, kapiteni i anijes Zuhair Alkëafi njofton Autoritetin Portual të Durrësit për praninë e kësaj anijeje, kërkimin e lejes për të ankoruar duke dhënë edhe detaje për ngarkesën si edhe kompaninë që kishte porositur mallin. Ankorimi do të bëhej në Porto Romano dhe nafta do të shkarkohej në depozitat e Shefqet Kastratit në këtë port.
Të lidhura – EKSKLUZIVE – Thellohet skandali, anija e kontrabandës kishte 8 mijë ton naftë. Shefqet Kastrati dhe Pirro Vëngu, presion importuesit nga Kavaja që të pranojë se ishte ai porositësi
Por, ndërkohë që anija afrohet, siç meson Gazeta Jonë, drejtori i Autoritetit Portual të Durrësit, Pirro Vëngu merr një telefonatë nga një ambasadë e rendësishme në Tiranë të cilët e njoftojnë se OBK ka vendosur një embargo ndaj naftës së Libisë duke e paralajmëruar edhe për pasojat e shkeljes së kësaj embargoje.
Në këtë moment Vëngu njofton Kastratin duke i shpjeguar çfarë kishte ndodhur. Tentativa për të shkelur embargo e OKB-së ndaj Libisë kishte dështuar dhe tashmë duhej gjetur shpëtimi.
Aty për aty, Kastrati Group merr një vendim të shpejtë duke mos e pranuar ngarkesën. Kjo pasqyrohet edhe në dëshminë e kapitenit të anijes Zuhair Alkwafi, i cili thotë para oficerëve të policisë gjyqësore: “Jemi të habitur nga kjo që po na ndodh. Ne jemi transportues të rregullt dhe punojmë për kompani të ndryshme që porosisin hidrokarbure. Këtë radhë kompania që e kishte porositur nuk e pranoi ngarkesën dhe në ketë moment erdhi kapiteneria dhe struktura të tjera duke bërë veprimet. Ne jemi konform te gjitha rregullave, nuk bëjmë kontrabandë. Ne fuksionojmë në këtë mënyrë: kompania porosit sasinë, e ngarkojmë në vendin ku kemi për ta marë dhe e transportojmë drejt vendit pritës”.
Kështu, pasi Kastrati nuk pranoi ngarkesën, i kërcënuar për pasojat e shkeljes së embargos nga OKB, anija mbetet në det të hapur dhe në atë moment Porti i Durrësit njofton rojet bregdetare dhe autoritetet përgjegjëse se disa përballë tyre ndodhej një anije me naftë kontrabandë.
Mbetet për t’u parë tashmë nëse Kastrati do ta pësojë apo jo nga shkelja e embargos së OKB-së për naftën e Libisë. /GazetaJonë