Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e biznesmenit në Tiranë.

Viktima Bujar Nasufi ka dalë nga mobileria e tij në rrugën “Irfan Tomini” rreth orës 20:20 me automjetin e tij tip Benz ngjyrë gri për të shkuar në drejtim të banesës së tij në rrugën “Myrte Zeneli”.

Autori, i maskuar dhe me motor si shpërndarës picash, pasi e ruajti sapo mbërriti në afërsi të banesës së tij, e priti deri sa bashkëshortja e tij zbriti nga makina.

Teksa po parkonte, 56-vjeçari u qëllua nga një distancë shumë e afërt, me armë të tipit pistoletë. 6 plumba u shkrepën, dy nga të cilët rezultuan fatal për 56-vjeçarin.

Sa i përket motiveve të ngjarjes, policia nuk ka mundur zbulojë konflikte të hapura të viktimës, pasi 56-vjeçari njihej si person i qetë.

Pista e vetme dhe kryesore që po heton policia është ajo e konflikteve për pronat.

Familja Nasufi me origjinë nga Berati, që prej kohës së diktaturës jetojnë në zonën e Selitës së vogël, e përbërë nga 5 vëllezër, janë pronarë të disa bizneseve në rrugën “Irfan Tomini”.

Familjarët kanë deklaruar se pronat janë ndarë që herët dhe s’ka pasur probleme mes vëllezërve./voxnews