Italia pritet të ngrejë në Shqipëri, brenda pranverës, dy qendra për pritjen e emigrantëve që nga Lindja e Mesme dhe veriu i Afrikës synojnë thuajse çdo ditë brigjet jugore të saj. Marrëveshja mes dy qeverive u firmos të hënën pasdite në Romë, në përfundim të një takimi mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe kryeministrit Edi Rama.
Qeveria italiane shpjegoi më pas se nuk bëhet fjalë për emigrantët që mbërrijnë në tokën e saj por për atë kategori që rrezikohet gjatë lundrimit në det dhe shpëtohet nga anijet e ushtrisë apo Guardia di Finanza-s italine që patrullojnë në Mesdhe, apo dhe nga mjetet lundrues të organizatave humanitare. Po ashtu nga kjo marrëveshje janë të përjashtuar minorenët, gratë shtatzëna dhe subjektet vulnerabël.
Mediat italiane dhe një pjesë e opozitës e kanë “kryqëzuar” këtë marrëveshje. “La repubblica” shkruan se së pari një marrëveshje e tillë duhet të kalojë në parlament dhe së dyti shkel rregullat italiane dhe konventat ndërkombëtare. Në Shqipëri do të vijnë vetëm meshkujt e rritur.
“Në Shqipëri do të dërgohen vetëm meshkuj të rritur. Të gjitha të metat e marrëveshjes për emigrantët me Tiranën. Zbarkim selektiv, refuzime në një vend të tretë, ndalim arbitrar, garanci dhe të drejta të mohuara.
Marrëveshja dypalëshe me Shqipërinë, kudo që ta shikoni, duket se është një monstruozitet ligjor që shkel rregullat italiane dhe konventat ndërkombëtare duke u mbështetur në një lloj ekstraterritorialiteti të paparashikuar nga asnjë ligj. Një marrëveshje e cila fillimisht duhet të ratifikohet nga Parlamenti.
Marrëveshja mes Melonit dhe Ramës duhet të ratifikohet në Parlament. Gratë, të miturit dhe njerëzit e brishtë do të përjashtohen nga dërgimi në Shqipëri. Konventat ndërkombëtare nuk parashikojnë forma të ekstraterritorialitetit” shkruan “La repubblica”.