Gjatë vizitës në Tiranë presidenti Ukrainës Volodimir Zelensky, kërkoi bashkëpunimin me qeverinë shqiptare në bashkë-prodhimin e armëve luftarake.
Kjo ide e Zelenskit është avancuar nga qeveria shqiptare me hedhjen për konsultim publik të projekt ligjit për “ Rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
Pritet që ky projekt ligj të jetë ndër të parët për diskutime në komisionet parlamentare, e më pas parlament në sesionin e shtatorit.
Në projekt-ligj parashikohet se ri-ngjallja e industrisë shqiptare të prodhimit të armatimeve, do t’i besohet “Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes e cila do të jetë pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes”.
Kjo agjenci është autoriteti shtetëror përgjegjës për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e sektorit të prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armatimit ushtarak.
Në projekt-ligj theksohet se të gjitha kompanitë shqiptare apo të huaja të cilat do të aplikojnë për licensim, do ti duhet të planifikojnë një investim fillestar prej së paku 25 milionë euro.
Pas kualifikimit dhe marrjes së licencës këto kompani do ta kenë tatimfitimit zero për 10 vitet e para të aktivitetit.
Sikurse uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar, në masën 10% , për furnizimet dhe shërbimet e nevojshme për prodhimin e armatimit ushtarak.
Për të shmangur shitjen e armëve prodhim shqiptarë, në vende nën sanksione ushtarake, qeveria shqiptare në këtë projekt-ligj parashikon një sërë masash.
Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes mban dhe publikon një “listë të zezë” të subjekteve që janë gjetur në shkelje shumë të rënda të dispozitave referuese të këtij ligji apo që, nëpërmjet veprimtarisë së tyre të prodhimit apo tregtimit të armatimit ushtarak, kanë cenuar sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Shqipëria ka patur një industri të konsiderueshme të armëve që lulëzoi veçanërisht në vitet ’70-80 pasi Kina aleate, ndihmoi në ndërtimin e disa komplekseve të reja, ndërsa më herët me ndihmën ruse ishin ndërtuar linja prodhimi.
Shqipëria kishte kombinatin e armëve dhe municioneve në Poliçan, përfshi uzinën e armëve të municioneve në Cekin të Gramshit.
Ato prodhonin pushkët SKS, kallashnikovët dhe disa armë të tjera. Uzina e lëndëve plasëse në Elbasan por edhe linjat e remonteve të avionëve Mig në Kuçovë.
Një pjese e pajisjeve të kësaj industrie është konservuar, por asnjë prej tyre nuk prodhon armë dhe municione të standartit të NATOs.
Burime bëjnë me dije se ligji i ngjan një kostumi të qepur me porosi ku në fokus janë dy kompani të njerëzve pranë Rilindjes që kanë marrë tenderët e armëve të ushtrisë dhe policisë deri më tani. Gazeta Jonë do të raportojnë me detaje në vijim në lidhje me këtë aferë. / Gazeta Jonë