Edmond Haxhia dyshohet të jetë personi që ka porositur vrasjen e biznesmenit nga Lezha, Ardian Nikulaj.
Haxhia dyshohet se është djali i dajës së Elton Lekstakajt i cili kishte pasur konflikt me viktimën që prej vitit 1997.
Dyshohet se Haxhia ka paguar ekzekutorin portugez dhe katër bashkëpunëtorët e tij nga Britania e Madhe, mes të cilëve edhe një grua, konkretisht: Ruben Saraiva, Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman.
Kryepolici Muhamet Rrumbullaku tha në konferencën me gazetarët se vrasja është kryer për motive gjakmarrje ndërkohë që autorët dyshohet se janë larguar jashtë vendit pas krimit.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka përshëndetur punën e policisë në zbardhjen e vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin. Çuçi shkruan se rezultate të tjera nuk do të vonojnë.
“Përgëzime Policisë së Shtetit për punën e shkëlqyer për zbardhjen e ngjarjes së rëndë në Shëngjin. profesionalizëm dhe vendosmëri për të çuar përpara drejtësisë autorët e identifikuar dhe për të mësuar plotësisht organizimin dhe financimin e atij ekzekutimi kriminal.
Ndërkohë vijon puna me intensitet të lartë edhe për zbardhjen e ngjarjeve të rënda të kohëve të fundit, për të cilat rezultatet nuk do të vonojnë“, shkruan ai.