Kjo verë do të jetë tepër e nxehtë dhe duket se Lefter Koka me Alqi Bllakon nuk do të jenë të vetmit “peshq të mëdhenj” që kanë provuar prangat.
Ashtu siç deklaroi edhe vetë kryeministri Rama në Asamblenë e socialistëve, mes këtyre të fundit ka hajdutë të mëdhenj dhe të vegjël “të cilët ai vetë do t’i çojë për veshi në SPAK”.
Dhe duket se dita erdhi.
Burime të sigurat të “Gazeta Jone” nga organet e drejtësisë bëjnë me dije se së shpejti SPAK do të bëjë tre goditje të forta në drejtim të kryebashkiakëve socialist, krahas Fatos Tushes që u arrestua si hajdut fondesh.
Burime bëjnë me dije se tre kryebashkiakëve iu janë kopsitur dosjet për abuzime me fondet publike si edhe në menaxhimin e territorit dhe pritet nga dita në ditë që policia të marrë në dorë urdhër arrestet për të ekzekutuar vendimin.
Kryebashkiakët
I pari në listë është Redjan Krali i Kavajës, i cili mbart mbi shpinë abuzime me tenderë për disa vepra publike në Kavajë. Krali po ashtu rezulton të jetë përfshirë në disa afera të rënda në zonën e Golemit të Kavajës, të cilat tashmë SPAK i ka zbërthyer dhe pritet t’ia paraqesë atij si prova të pakundërshtueshme. Krali nuk do të shkojë vetëm në burg. Bashkë me të, pritet të shkojnë edhe persona të tjerë që kanë firmosur urdhrat verbale të lëshuara prej tij. Krali është mbështetur shumë nga Rama nisur nga fakti se drejton një bashki historikisht të djathtë, por duket se e ka keqpërdorur këtë besim.
I dyti është kryebashkiaku i një bashkie që është mbështetur shumë nga Rama këto vite me fonde. Bëhet fjalë për Arif Tafanin e Belshit, i cili ka ngjyer duart me dy projekte të mëdha që janë implementuar në bashkinë që ai drejton prej shumë vitesh. Burime bëjnë me dije se Tafani rezulton i përfshirë edhe në një skandal me një kompani ndërtimi rrugësh në zonën e Elbasanit. Bashkë me Tafanin pritet arrestimi edhe i disa drejtorëve në bashki.
I treti dhe më i famshmi është humoristi i kthyer në politikan, Erion Isai. Ky i fundit ka rënë në rrjetën e SPAK për një tender ordiner drush, por edhe pse nuk bëhet fjalë për një shumë të madhe, vlen sa për ta arrestuar për vjedhje.