Nga Bledi Mane

Në fshatin tonë kemi mbetur tre burra, katër gra, pesë lopë dhe dy vajza. Unë kam vetëm gruan dhe lopën në shtëpi se dy djemtë më kanë ikur në kurbet por gjithësesi kjo gjë nuk më dëshpëron.

I kam organizuar mirë punët e mia aq sa më ka zili jo vetëm fshati ynë por edhe katundi përballë. Tokën e punon gruaja, lopën e kullot gruaja, punët e shtëpisë i bën gruaja dhe ta shohësh të shkretën e ngatërron me ndonjë burrë.

Duart me kallo, krahët me muskuj, fytyra plot rrudha ndaj nuk e fus më në krevat se më duket sikur fle me kunatin tim. Shtëpisë po i mungonte aroma e një femre ndaj u detyrova ti gjej nuse djalit të madh.

Vajzën e komshiut, një 17 vjeçare të njomë e të bukur e mblesërova vetë dhe kur erdhi djali parvjet për pushime e martova. Djali iku përsëri në Angli por nusen na e la ne ndaj u detyrova i thashë gruas se erdhi koha të lehtësohesh dhe ti të bësh vetëm punët e bujqësisë ndërsa nusja e djalit punët e shtëpisë.

Gruaja ime gjithë ditën në ara e fusha, nusja e djalit gjithë ditën me mua në shtëpi, djali 3 vjet në Angli. Isha njeriu më i lumtur jo vetëm në fshat por në gjithë komunën se më në fund zgjodha një nuse për djalin ashtu siç e dua unë.

Muajt kalonin, gruaja priste lopën të pillte, nusja priste djalin të vinte, unë prisja nusen ta kuptonte që e kisha zgjedhur me duart e mia dhe një ditë do ishte e imja për aq kohë sa djali ishte në kurbet.

Por lopa polli, djali nuk vinte, nusja e djalit pasi ndjeu se do më dorëzohej mua si i vetmi mashkull në atë shtëpi bëri të pa bërën. E drobitur dhe e torturuar nga vyshkja e një puthje apo prekjeje u dashurua me hoxhën e fshatit e ndërsa u xhelozova si një ruralist kokëgdhë u hakmorra.

E përgjova si manjak e teksa eksitohesha e xhelozohesha pas shkurreve ku po palloheshin e filmova e i nxorra bojën jo vetëm në fshat…

Hakmarrja më ngopi, nusja e djalit vrau veten, hoxhës i doli nami për kurvar, nusja vazhdonte të kulloste lopën, lopa rriste viçin ndërsa djali nga Anglia më tha ti gjeja një tjetër nuse.