Policia e Durrësit ka arrestuar dy të rinj, pasi akuzohen si autorë të një grabitje të kryer me dhunë tre ditë më parë në qytetin bregdetar.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “The end” janë vënë në pranga shtetasit Akil Gjeçaj, 27 vjeç, banues në Durrës dhe Arjos Gjongecaj, 21 vjeç, banues në Tiranë.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, 3 ditë më parë, në lagjen nr. 14/1, Durrës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë vjedhur me dhunë një shtetasi, 2 pako me sende personale (këpucë dhe veshje marke), me vlerë 742 000 lekë të rinj. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sendet e vjedhura, 2 telefona dhe automjeti i përdorur nga autorët për t’u larguar pas vjedhjes.” – thuhet në njoftimin e bluve të Durrësit.

Policia njofton se vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta 2 shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.