Prokuroria po tenton të zbërthejë “puzzle-in” mbi zhdukjen e Ervis Martinajt që prej fillimit të këtij muaji, ndërkohë që të dhënat e siguruara nga dëshmitë e personave të fundit që kanë patur kontakt me të janë të vakëta.
Sëfundmi, siç raportoi dje edhe Gazeta Jone, prokuroria ka marrë në pyetje një vajzë 22 vjeçare që ka pranuar se kishte fjetur një natë me Ervis Martinajn në një hotel me 5 yje në Durrës. Në dëshminë e saj, vajza, një ish-miss, thekson se që prej 7 gushtit nuk ka patur më kontakt me të dashurin e saj, Ervis Martinajn duke shtuar se kishte pyetur te personat që kishin lidhje me të shumë kërkuarin e drejtësisë, por edhe ata i janë shprehur se nuk e dinin ku ndodhej.
Gazeta Jonë mësoi se vajza që prej disa muajsh është e dashura e Ervis Martinajt është Deta Kokomani.
G.J raportoi më herët se pasi u fiksua nga kamerat e sigurisë në hotelin me 5 yje ku kishte kaluar një natë me missin e njohur, makina që lëvizte Martinajn është fiksuar edhe nga disa kamera në qytetin e Durrësit, por më pas ai automjet nuk është parë më nëpër rrugët e qytetit.
Martinaj rezulton të jetë parë ato ditë pas Durrësit edhe një herë në Tiranë dhe pastaj nuk ka më asnjë shenjë të tij.
Zhdukja e Martinajt është kthyer në një mister të madh, ndërsa duket se çelësi i të gjithë kësaj historie është Efektivi i Forcave Operacionale Jeton Lami, i cili nuk është zbërthyer ende duke dhënë detaje të cunguara mbi lëvizjet e Martinajt në ditët e para të gushtit, pas të cilave më pas nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Prokuroria po heton në dy linja sa i përket këtij fakti: Linja e parë lidhet me gjetjen nga kundërshtarët pasi është tradhtuar nga njerëzit e tij dhe mundësinë e vrasjes së Martinajt prej tyre, kurse linja e dytë lidhet me një vetëzhdukje të tij për t’i shpëtuar edhe policisë, por edhe kundërshtarëve, të cilët kohët e fundit i ishin afruar shumë.
Kujtojmë se vetëm pak javë më parë, në mbikalimin pranë Fushë Krujës u ekzekutuan tre persona, njerëz të rrethit të Ervis Martinajt, ku njëri prej tyre ishte djali i xhaxhait të tij, Brilanti.
Në të dyja këto pista, prokuroria dyshon se Lami nuk po thotë gjithçka di. Madje, ka dyshime se ky në çdo rast, ky efektiv i Forcave Operacionale të jetë në dijeni si në rastin e mundshëm të kapjes së Martinajt prej kundërshtarëve ashtu edhe nëse është zhdukur vetë.
Zhdukja
Në fillim të gushtit ishte xhaxhai i tij dhe nëna që shkuan në komisariatin e Policisë së Kurbinit duke kërkuar nga policia t’i gjenin të afërmin pasi sipas tyre nuk kishin patur kontakt prej disa ditësh. Ata theksuan në polici, sipas dëshmisë së zbardhur nga Gazeta Jone4, se mungesa e kontaktit nga Martinaj ishte konstatuar nga një kushëriri i tyre me banim në Dubai. Ai u kishte thënë se nuk fliste prej disa ditësh me Ervis Martinajn.
Pas këtij denoncimi u shtua edhe më tepër dyshimi mbi fatin e tij si edhe zhvillimet e bujshme në fushën e kriminalitetit. Ky denoncim përkon me periudhën kur në Laç iu bë atentat dy personazheve të tjerë, të njohur si persona të grupit të Martinajt. Madje, makina e përdorur prej tyre, një Toyota Land Cruiser e blinduar ishte përdorur shumë shpesh nga Ervis Martinaj duke shtuar dyshimet se objekt i atentatit të Laçit ishte pikërisht ai.
Vrasjet
Emri i Ervis Martinajt do të përflitej për herë të parë publikisht pas vrasjes së Elvis Doçit në vitin 2013 në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Gjithçka ndodhi pas operacionit “Fundi i Marrëzisë” ku në vitin 2013 u vendos bllokimi i lojërave të fatit. Prokuroria dyshoi atëhere se vrasja e ndodhur pak javë më pas në zonën e Komunës së Parisit kishte lidhje me këtë operacion dhe një ndër të dyshuarit ishte pikërisht Martinaj.
“Stacioni” tjetër i bujshëm i Martinajt ishte edhe vrasja e Enton Nikës në Linzë në tetor të vitit 2015. Martinaj ishte i shoqëruar nga Mirsad Kuçana, Emiljano Tasho dhe Bujar Hasani. Pas një debat verbal dhe grushteve, personat që shoqëronin Martinajn qëllojnë ndaj Nikës duke e lënë të vdekur në vend.
Ngjarja tjetër e bujshme ishte masakra e tetorit 2018 në ish-Bllok ku Martinaj u plagos në qafë, ndërkohë që mbeti i vrarë një prej personave që e shoqëronin atë, Fabian Gaccaj. Gjithçka ndodhi pas një sherri me Ervin Matën ku i pranishëm ishte edhe ish-ushtari i Forcave Speciale BOS, Merviol Billo. Ky i fundit është ende në arrati.
Që prej kësaj periudhe, Ervis Martinajt i janë vrarë një numër i madh personazhesh që njiheshin si “njerëzit e tij”. /Gazeta Jonë