Shqipëria është fiks vendi ku shprehja “çudia më e madhe tri ditë zgjat”, kjo pasi skandalet pasojnë njëri-tjetrin duke lënë shpesh mbrapa edhe gjërat që në të vërtetë nuk duhen harruar për tri ditë.

“Gjithçka dhe gjithkush” nuk merr një përgjigjie ligjore nga policia apo prokuroria, duke lënë edhe qytetarët në një “terr informativ”, dhe i tillë është edhe rasti për zhdukjen e Ervis Martinajt, i cili tashmë po bën më shumë se një muaj e gjysmë që nuk dihet saktësisht vendodhja e tij.

Mbi këtë çështje qarkullojnë dy skenare, ku njëri paraqet se Martinaj është vrarë, ndërsa skenari tjetër thotë se ai ka inskenuar zhdukjen e tij.

Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama tha se ditët në vijim policia e shtetit duhet të ketë me patjetër një përgjigjie lidhur me këtë personazh, ndërkohë që dy personat e fundit që janë takuar me të janë një miss nga Durrësi dhe ish-efektivi Jeton Lami.

Sakaq, policia ka identifikuar edhe vajza të tjera me të cilat Ervisi është shoqëruar, të cilat më së shumti i përkasin botës së modës, ose janë personazhe të njohura në rrjetet sociale. Duke analizuar personat me të cilët shoqërohej, krijohet një ide e qartë se cilat vajza kishte më shumë dëshirë të “peshkonte” më së shumti misteriozi Ervis.

Policia ka marrë në pyetje edhe vajza të tjera, të cilat kanë pasur lidhje intime me Martinajn, dhe secila prej tyre ka treguar një version.

Ajo që ka mbetur pa u thënë është versioni i Prokurorisë, pasi deri tani gjithçka ka mbetur në nivel spekulimesh dhe hipotezash.

Gjithsesi, çelësi i kësaj çështjeje mbetet ish-efektivi Jeton Lami, për të cilin thuhet se paguhej që të mbronte Ervis Martinajn nga policia. Ai u mor në pyetje gjatë një takimi “kokë më kokë” me ish-drejtorin e policisë Gledis Nano, ku ka “nxjerrë” të gjithë policët që merrnin para nga “i zhdukuri”.

Pas kësaj, Gledis Nano u shkarkua nga detyra dhe çështja “Ervis Martinaj” do t’i delegohet tashmë drejtorit të ri, Muhamet Rrumbullaku.