
Në Shqipëri, pushteti nuk matet me tituj, por me njohjet që ke. Dhe në rrethin e ngushtë të Edi Ramës, Ergys Agasi është një nga ata njerëz që nuk ka nevojë për funksione publike për të komanduar segmente kyçe të administratës dhe biznesit. Ai është eminenca gri e kryeministrit, një figurë misterioze që vepron larg kamerave, por me dorën mbi butonat e pushtetit dhe miliardat që rrjedhin nga fondet publike.
Nga Inspektorati i Mjedisit te kontrolli mbi AKSHI-n
I njohur si djali i ish-deputetit socialist Bardhyl Agasi, Ergys Agasi u ngjit në pushtet përmes Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) dhe më pas u afrua me Partinë Socialiste, duke mbajtur poste në administratë si drejtues i Inspektoratit të Mjedisit. Por ndërkohë që profili i tij publik mbetej i ulët, ndikimi i tij rritej në prapaskenë.
Sipas Arben Ahmetajt, Agasi ka marrë kontrollin mbi Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) përmes lidhjeve të tij politike dhe familjare. Dhe faktet e mbështesin këtë akuzë: motra e tij është drejtoreshë në AKSHI, ndërsa kompania e tij, EA Solutions, ka pasur një rritje të pashpjegueshme financiare brenda një viti nga krijimi i saj dhe çuditërisht në fushën e shërbimeve të IT.
2.2 milionë euro fitime për një vit – nga vijnë këto para?
Dokumentet tregojnë se EA Solutions, kompania e Ergys Agasit, është themeluar në mars të vitit 2023 dhe ka deklaruar fitime prej 2.2 milionë euro në vetëm një vit. Kjo shifër bëhet edhe më e dyshimtë kur merret parasysh fakti se shpenzimet e saj totale vjetore janë vetëm 100 mijë euro.
Për ta thënë thjesht: kompania shpenzon rreth 8 mijë euro në muaj, por fitimet i ka 23 herë më të larta se shpenzimet. Në një treg të ndershëm, një rritje kaq e shpejtë dhe e pashpjeguar do të ishte objekt hetimi për evazion fiskal apo pastrim parash. Por në Shqipëri, kur ke lidhje me Edi Ramën, shteti nuk të sheh.
Lidhjet mes AKSHI-t dhe ‘Soft Solutions’ – skema e tenderave të dyshimtë
Sipas Arben Ahmetajt, kompania Soft Solutions, në pronësi të Ermal Beqirajt faturon rreth 80% të tenderave të AKSHI-t. Kjo është kompania që thuajse çdo vit merr llokmën më të madhe nga të gjitha kompanitë e tjera që tenderon ky institucion. Madje sipas Ahmetajt, nëse investigohet rrjedha e parave tek tenderat e AKSHI-t do mbërrihet tek familja e kryeministrit.
“AKSHI është kopshti privat i kryeministrit, ku njerëz të lidhur me familjen e tij, bëjnë çfarë ju do qejfi… Kam një ekstrakt tatimesh. Ju them gazetarëve investigativë, ‘folloë the money’, le të thotë Rama do ta gri maskarain, për mua” shprehej Ahmetaj në një nga intervistat e tij për Çim Pekën.
A është EA Solutions një nga kompanitë që ka faturuar shërbimet për Ergys Agasin?
Nëse abuzimet janë të vërteta, atëherë kemi të bëjmë me një skemë klasike të kapjes së shtetit:
• Një institucion kyç i teknologjisë, AKSHI, kontrollohet nga Ergys Agasi
• Një kompani e lidhur me Agasin, EA Solutions, rrit fitimet me shifra astronomike brenda vitit të parë
• Një tjetër kompani, Soft Solutions, merr pjesën dërrmuese të tenderave të AKSHI
Dhe ndërkohë që Agasi lëviz në hije, duke koordinuar tenderat dhe duke shpërndarë fondet publike aty ku duhet, qytetarët vazhdojnë të paguajnë për shërbime teknologjike të dështuara dhe për projekte që përfundojnë në duart e miqve të pushtetit.
Lidhjet me bandat dhe krimin e organizuar
Por Ergys Agasi nuk është vetëm një biznesmen me fat. Ai është akuzuar edhe për lidhje të drejtpërdrejta me bandat kriminale në Durrës. Sipas raportimeve të ndryshme, ai ka pasur kontakte me elementë të botës së krimit, të cilët janë të lidhur me rrjetet e trafikut dhe të influencës politike në qytetin bregdetar.
Ish.zv-kryeministri Arben Ahmetaj e ka quajtur një koordinator të mirëfilltë të krimit të organizuar, në shërbim të Edi Ramës.
“Ka në fakt një koordinim mes organizatave mafioze. Ata nuk vriten me njëri – tjetrin. Kjo sepse Edi Rama iu ka kërkuar të mos i hapin telashe. A është Rama i lidhur me këto grupe kriminale? Nuk është vetëm i lidhur, por po të jap emrin e koordinatorit, Ergys Agasi. Është një tip që jeton në Durrës, pranë klanit të Durrësit. Tani është bërë për llogari të Ramës, koordinator i të gjithë grupeve” deklaroi Ahmetaj gjatë një bisede, me një gazetar italian.
Këto akuza nuk janë të pabaza. Gazetarja Klodiana Lala ka raportuar për një takim të organizuar nga Agasi në një resort luksoz në periferi të Tiranës, ku morën pjesë përfaqësues të politikës, krimit dhe biznesit.
Në postimin e saj, Lala shkruajti: “Ergys Agasi është një emër i lakuar për lidhje të ngushta me njerëz të krimit. Ai ka marrë në dorë drejtimin e PS-së në Durrës, duke u kthyer në njeriun më të besuar të Ramës, pas ‘rënies’ së Vangjush Dakos. Sot, ai kontrollon çdo qelizë të institucioneve në qytetin bregdetar. Çdo emërim në poste kyçe në administratë kalon përmes tij.
Për të treguar fuqinë e tij, po ndaj një detaj: disa kohë më parë, Agasi organizoi një festë në një resort në periferi të Tiranës, ku mblodhi krimin, politikën dhe biznesin. Policia ka faktet në dorë. Detajet e kësaj feste janë të dokumentuara, dhe SPAK ka mundësinë t’i hetojë.”
Në një vend ku politika dhe krimi shpesh ecin krah për krah, Agasi duket se është një ndërmjetës i fuqishëm mes të dyja botëve. Akoma më i fortë ishte denoncimi i Gazment Bardhit, pas daljes në skenë të emrit të Ergys Agasit. Sipas Bardhit, lidhjet e tij shkonin deri në kupolën e SHISH.
“Janë po të njëjtat lidhje që dyshohet se kanë shndërruar edhe Shërbimin Informativ të Shtetit në një organizëm në duart e krimit të organizuar, duke zhbërë rolin kushtetues dhe ligjor të këtij institucione” thotë Bardhi.
Edi Rama dhe heshtja për “eminencën gri”
Në mes të gjithë këtyre skandaleve, Edi Rama nuk ka thënë asnjë fjalë. Nuk ka asnjë hetim mbi rritjen e papritur të pasurisë së Ergys Agasit, as për lidhjet e tij me tenderat e AKSHI, as për kontaktet e tij me botën e krimit.
Por si mund të ketë hetim kur Agasi është një nga njerëzit më të afërt të tij?
Një nga ata që nuk ka nevojë të shfaqet në skenë, sepse e di që e vërteta më e madhe e pushtetit në Shqipëri është ajo që nuk duket, siç mund të ndodhë me krime të bujshme që mbeten pa zbuluar.
Me këtë histori, ku politika, biznesi dhe krimi janë të ndërthurur si fijet e një rrjete merimange, pyetja e vetme që mbetet është: a do të guxojë drejtësia të prekë edhe njerëzit e vërtetë të pushtetit, apo SPAK-u do të vazhdojë të godasë vetëm peshqit e vegjël? /lapsi.al