Valdete Manaj, nuk vrau veten por u masakrua sot me thikë nga bashkëshorti i saj Petrit Manaj. Burime për “Gazeta Jonë” bëjnë me dije se pasi kreu krimin e rëndë për shkaqe xhelozie, Petrit Manaj ka shkuar në një lokal për të ngrënë bukë.

Ai duket se kishte bërë të gjithë skenarin në kokën e tij për ta bërë vrasjen e gruas të dukej si një vetëvrasje. Manaj kishte shkuar në lokal me idenë se ai nuk e dinte për krimin.

Pasi është kthyer, ka pretenduar se kishte gjetur të vrarë gruan e tij dhe për këtë të parin ka njoftuar vëllanë e tij që e kishte polic në Fier. Ashtu siç e kishte njoftuar vëllai i tij, polici kishte raportuar në sallë se kunata i kishte vrarë veten.

Por pas marrjes në pyetje policia ka dyshuar dhe më pas ka zbuluar se Valdete Manaj nuk vrau veten por u masakrua me thikë nga bashkëshorti i saj. Burimet bëjnë të ditur se autori është përleshur me viktimën, pasi kishte gërvishtje në trup.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe policia e Fierit e cila ka zbardhur skenën që ka ndodhur:

Fier – Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen “Sheq i Madh” Fier.

Pas një pune hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, Policia arreston shtetasin P. M.,si autor i dyshuar i vrasjes së bashkëshortes së tij.

Pas njoftimit të marë në sallën operative se në lagjen “Sheq i Madh”, Fier, në banesën e saj një shtetase është vetëvrarë, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Fier kanë vijuar punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Nga provat e grumbulluara, deklarimet e marra, këqyrjes së trupit të viktimës nga eksperti mjeko-ligjor dhe veprimet e mëtejshme hetimore të kryera nga grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorisë Fier, rezulton se shtetasi P. M., bashkëshorti i viktimës, për motive të dobëta ka goditur me thikë shtetasen V. M., e cila për pasojë ka gjetur vdekjen.

Në bazë të hetimeve të thelluara, i vendosur përballë provave të adminstruara, shtetasi P. M., ka pranuar autorësinë dhe motivin e ngjarjes.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, shtetasin P. M., 56 vjeç.

U sekuestrua në cilësinë e provës materiale mjeti prerës(thikë), me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.