Prej një viti e gjysmë, Floriana Garo është zëdhënësja e Partisë Demokratike dhe një prej imazheve më përfaqësuese të saj. Pas një karriere të suksesshme në televizion, jetës në Zvicër dhe krijimit të familjes, Floriana u kthye në Shqipëri për të përmbushur një ambicie që erdhi në një periudhë më të pjekur të jetës. E ftuar në “Rudina” në Tv Klan për të ndarë rrugëtimin mes politikës dhe familjes, Floriana ndalet edhe te marrëdhënia me kryetarin e Partisë Demokratike. Ajo konfirmon se është një pjesë të mirë të kohës pranë tij dhe ndan edhe disa detaje të panjohura për të.

Rudina Magjistari: Je shumë pranë zotit Berisha, gjithë kohës.

Floriana Garo: Jam, është e vërtetë. Të qenit pranë tij është një shkollë më vete, një universitet më vete, kam mësuar shumë.

Rudina Magjistari: Mund të na tregosh diçka për të, diçka që s’e  njohim ose diçka që ndoshta do të na surprizonte nëse do ta mësonim?

Floriana Garo: Mendoj që ai është një njeri në dukje shumë i ashpër, po krejt ndryshe në marrëdhënie personale. Është brilant patjetër dhe në analizën politike, në vendimmarrje, në vizionin e tij por edhe në marrëdhënie njerëzore është një njeri me të cilin mund të mirëkuptohesh dhe është një njeri i hapur ndaj ndryshimeve, propozimeve dhe ndaj gjithçkaje të re. Pra ai ecën me hapin e kohës dhe kjo është shumë interesante sepse dikush nuk mund ta mendojë që një 70-80 vjeçar mund të mendojë dhe të ecë njësoj si një i ri, por ai bashkë me eksperiencën e vet, ka dhe këtë mendjehapësi që e tregon sidomos me njerëzit që arrijnë të jenë  afër tij.