Dy personat që shikoni në foto janë shtetasit Aldo Brahimi dhe Ylli Grabovari, dy të dyshuarit kryesorë për vrasjen e 32-vjeçares Luljeta Preza.
32-vjeçarja dyshohet se është qëlluar me thikë diku tjetër dhe më pas është hedhur te Ura e Dajlanit, një vend ku gjatë orëve të natës mblidhen gra të cilat ushtrojnë prostitucion. Ajo ishte anëtare e komunitetit rom.
Edhe dy personat e ndaluar tashmë, janë endacakë dhe konsumatorë droge.
Çfarë njoftoi policia lidhur me ngjarjen:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me
Prokurorinë e Durrësit, kanë vijuar veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen e rrethanave të humbjes së jetës së shtetases L. P., 32 vjeçe, trupi i së cilës u gjet poshtë urës së Dajlanit, ditën e djeshme, rreth orës 10:35.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Deluzion”, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të kësaj ngjarjeje, identifikimi, kapja dhe vënia në pranga në kohë rekord, e 2 autorëve të dyshuar të saj.
Në vijim të këtyre veprimeve, u vunë në pranga shtetasit A. B., 22 vjeç, banues në Lushnjë dhe Y. G., 45 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet e thelluara të kryera menjëherë pas ngjarjes, rezultoi se rreth orës 01:00 të datës 02.08.2023, poshtë urës së Dajlanit, Durrës, 32-vjeçarja është konfliktuar me shtetasit A. B. dhe Y. G., për motive të dobëta (pasi kanë konsumuar lëndë narkotike kokainë, së bashku me shtetaset B. S., M. M. dhe me një 15-vjeçare). Gjatë konfliktit, shtetasit A. B. dhe Y. G. kanë goditur me mjet prerës (thikë) shtetasen L. P., e cila si pasojë ka humbur jetën në vendin ku iu gjet trupi.
Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset B. S., 28 vjeçe, M. M., 26 vjeçe dhe për 15-vjeçaren, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi kanë qenë prezente gjatë ngjarjes, por asnjëra nuk ka kallëzuar në Polici.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.