Mediat turke janë duke raportuar për një ngjarje tragjike mes Greqisë dhe Turqisë. Duke iu referuar një postimi në Twitter të ministrit të Brendshëm të Turqisë, Suleyman Soylu, “Hurriyet” shkruan se mëngjesin e sotëm në zonën kufitare mes dy shteteve janë gjetur të vdekur 12 persona, transmeton Gazeta Jonë. 

Dyshohet se ata kanë ndërruar jetë për shkak të temperaturave të ulta, ndërsa nuk kishin veshur as këpucë dhe as rroba të trasha që të përballonin të ftohtin e këtyre ditëve.

Sipas minitrit turk, ata janë kthyer mbrapsht nga rojet kufitare greke, të cilat më parë i kanë detyruar që të heqin këpucët dhe xhupat.

“Kjo është barbari. 12 emigrantë gjenden të ngrirë në mes të ftohtit pa këpucë dhe veshje të trasha. BE është pa zgjidhje”, shkruan ai në Twitter.

Deri më tani nuk ka ndonjë raportim në mediat greke për çështjen në fjalë, po ashtu as edhe ndonjë reagim nga autoritetet vendase.

Greqia po ndjek një politikë të kthimit masiv të emigrantëve që duan të kalojnë aty nga Turqia duke marrë kritika të ashpra nga organizatat për të drejtat e njeriut.