Pas më shumë se një javë me mot të freskët, rikthehet i nxehti afrikan. Sipas parashikimeve të motit temperaturat maksimale pritet të shkojnë deri në 37 gradë Celsius.

Hakil Osmani: Fundjava do të jetë në dominimin e motit të kthjellët ku orët e shumta me diell do të jenë mbizotëruese në zona bregdetare dhe të ulëta, ndërsa në zonat malore herë pas here do të kemi kalime të pakta të vranësirave, të cilat do të krijojnë mundësi për momente të paktën me pika shiu kryesisht të mbeten të fokusuara në pikat verilindore. 

Ndërsa pjesa tjetër e vendit pritet të jetë në dominimin e motit të qëndrueshëm. Temperaturat e ajrit pritet të kenë rritje gjatë ditës, duke bërë që maksimumi të ngjiten edhe në 37-38 gradë celsius. Bregdeti pritet t’i ketë temperaturat nga 34 në 36 gradë celsius.

Por cilat do jetë qarqet që do të shënojnë temperaturat më të larta të ajrit?

Hakil Osmani: Kryesisht qarqet të cilat  pritet të kenë edhe temperatura më të larta do të jenë qarku i Elbasanit dhe i Gjirokastrës, por po ashtu edhe Shkodra, Tirana, pritet të regjistrojnë vlera deri në 36 gradë celsius gjatë kësaj fundjave. Qarku i Kukësit pritet të ketë temperatura deri në 35 gradë celsius.

Sipas meteorologëve edhe java që vjen do të jetë me mot të qëndrueshëm dhe temperatura të larta.