Gazetari Fatos Mahmutaj ka dëshmuar sot në SPAK në lidhje me aferën CEZ-DIA që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 414 milionë euro, dosje në të cilën janë kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, si dhe Sali Berisha.
Mahmutaj u mor në pyetje në lidhje me një intervistë që i ka marrë bashkëshortes së Kastriot Ismailajt pronar i Kompanisë DIA, i vetmi i ndëshkuar për këtë aferë.
Më herët Mahmutaj ka rrëfyer detaje të reja mbi intervistën që ka realizuar me Vojsava Ismailajn.
Kjo e fundit siç deklaroi Mahmutaj ka akuzuar Metën se i ka bërë presion bashkëshortit të saj, madje “se i ka marrë para”.
Dyshimet nisën në 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek CEZ-DIA, gjatë qeverisjes së Sali Berishës, kontratë e cila në vitin 2013, u ndërpre pasi socialistët morën pushtetin. Prishja e marrëveshjes i shkaktoi buxhetit një dëm mbi 414 mln euro.
Për këtë aferë u dënua Kastiot Ismailaj, për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim parash”, pasi përvetësoi 5 milionë euro nga kompania me fatura fiktive pa mbledhur asnjë borxh nga pagesat e prapambetura.