Në hetimet e SPAK dhe të Policisë së Shtetit në lidhje me dosjen voluminoze të grupit të strukturuar kriminal të trafikimit të emigrantëve, kryesisht nga Bangladeshi, rezulton të jetë i përfshirë ish-kryetari i komunës Kashar, Alfred Sulaj, i përfshirë me herët në veprimtari të tjera kriminale, madje i arrestuar në vitin 2011 edhe për plagosjen e shokut të tij.

Hetuesit kanë mundur të sigurojnë përgjime të komunikimeve ambientale që ka bërë Luan Tafalla, ky i fundit një prej 24 personave me masë sigurie në operacionin e ekzekutuar të premten nga Policia e Shtetit, me njerëz të lidhur me ish-kryekomunarin.

Luan Tafalla i ka kërkuar ndihmë ish-kryekomunarit Sulaj që për shkak të detyrës që ka mbajtur vite më parë, të ushtrojë ndikim tek gjendja civile për të regjistruar emigrantë.

Regjistrimi i shtetasve të huaj në gjendjen civile është një procedurë për të huajt që u sigurohet vizë dhe sipas të dhënave të hetuesve, rezulton të jetë fiktiv pasi emigrantët e huaj largohen nga vendi ynë.

Përgjimi është bërë në një bisedë mes Luan Tafallës dhe vëllait të Alfred Sulajt, mes të cilëve diskutohet për t’i thënë Alfredit për të ndërhyrë në gjendjen civile.

Përgjimet:

Tafalla: Ku?

Vëllai i Sulajt: Do t’i çojë në gjendjen civile.

Tafalla: Fole me Ogertin ti?

Vëllai i Sulajt: Jo, po flasim me Fredin.

Tafalla: Aha, në rregull.

Vëllai i Sulajt: Kështu që unë i thashë atij që ata janë gati të paguajnë.

Tafalla: Jo mo vëlla duhet të paguaj Fredi atë, pse thua janë gati, kush të tha ty që janë gati?

Vëllai i Sulajt: Po fol me Fredin se Fredi po më pyet mua që duhet të paguaj, i thashë që të mos ashtu.

Tafalla: Ok!

Alfred Sulaj rezulon të jetë arrestuar në vitin 2007, në kohën që ishte në detyrë si kryetar i komunës Kashar, në akuzë për falsifikim dokumentesh pronësie, korrupsion e shpërdorim detyre në komunën që drejtonte, detyrë nga e cila u shkarkua, por u liruar dy vite më vonë.

Në vitin 2011 Sulaj ra sërish në pranga pasi plagosi me thikë një mikun e tij gjatë një debati në një lokal në Kashar, konflikt i cili nisi pasi Sulaj pretendonte se miku i tij nuk kishte votuar në zgjedhjet lokale të 8 majit 2011 për babanë e tij që ishte në garë.

Aktualisht Alfred Sulaj është biznesmen dhe në pronësi të tij ka edhe një hotel në afërsi të qafës së Kasharit.

Ndërkohë, hetuesit kanë mundur të sigurojnë prova të tjera që janë lidhur mes të të arrestuarve dhe emigrantëve.

Në një rast, thonë burimet, me të njëjtën kartë krediti që janë blerë 2 bileta avioni nga Dubai drejt Tiranës, janë paguar edhe biletat e emigrantëve nga Bangladeshi, e cila ka shërbyer si provë për të lidhur personat e grupit kriminal me veprimtarinë e paligjshme.