Gjithçka është gati në 21.529 qendrat e votimit  për të pritur rreth 9.8 milionë zgjedhës, të cilët do të votojnë sot për zgjedhjen e 300 deputetëve të Kuvendit të Greqisë për periudhën 2023-2027. Nga 9.8 milionë votues, rreth 400 mijë janë votues të rinj.

Nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 7 të mbrëmjes zgjedhësit mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Procedura mund të zgjatet nëse përfaqësuesi gjyqësor konstaton se ka ende qytetarë që presin të votojnë në një qendër votimi.

Të drejtë vote në zgjedhjet e 21 majit kanë qytetarët që mbushin 17 vjeç brenda vitit 2023 dhe janë regjistruar në listat zgjedhore të bashkive .

Jashtë vendit, procesi zgjedhor shkoi pa probleme me 22825 emigrantë që ushtrojnë të drejtën e votës për herë të parë në vendbanimin e tyre.

Në zgjedhjet parlamentare të 21 majit në Greqi po marrin pjesë në garën elektorale edhe shtatë pjesëtarë të komunitetit të emigrantëve shqiptarë, që jetojnë prej vitesh në vendin fqinj.