Vrasja e një 16-vjeçari në Gramsh për motive banale nga një bashkëmoshatar ishte krimi më i fundit që tronditi vendin.

Por për seriozitetin e situatës mes të miturve flasin statistikat e policisë. Në katër muajt e parë të vitit, në kryeqytet janë identifikuar 318 të mitur si autorë të veprave të ndryshme penale. Ndërsa vitin e kaluar numri i tyre ishte 753.

“Trendi më i madh i ngjarjeve që përfshihen të miturit janë konfliktet, vjedhjet dhe lëndët narkotike. Kryesisht konfliktet që ndodhin në kohën e pushimit apo pranë shkollave, nisin në rrjetet sociale, në grupet që krijojnë. Ngacmimet dhe lënien e takimeve pastaj që shkojnë në fatalitete. Problem shqetësues është edhe bullizimi”-shprehet Elidon Shehu, psikolog i Policisë Tiranë.

Shkollat, kurset apo ambientet e ndryshme sportive kthehen shpesh në vendngjarje me protagonist të miturit.

Për seriozitetin e situatës flasin rastet konkrete. Pak muaj më parë në një gjimnaz në Laprakë 2 të mitur u plagosën me thikë për një koment në Instagram.

Nisur nga Kodi i Drejtësisë penale për të miturit policia ka një qasje të kujdesshme ndaj të miturve duke mos ushtruar kontroll pa një dyshim të arsyeshëm apo kur thirren në komisariat, trajtohen në një ambient të posaçëm nga punonjës pa uniforme, në prani të prindërit dhe psikologut.

Në këtë situate, rol më kryesor në parandalimin e këtyre krimeve e ka familja dhe shkolla që duhet të ushtrojnë një kontroll më të shtuar./TCH