Presidenti amerikan Joe Biden dhe kryeministri izraelit, Benyamin Netanyahu, kanë mbajtur një konferencë për shtyp pas vizitës së kreut të Shtëpisë së Bardhë në Izrael.

Netanyahu ka vlerësuar vizitën e Biden, i cili ndërroi edhe axhendën e tij për të vizituar sa më shpejt Izraelin pas sulmit të një spitali në Gaza.

Kreu i qeverisë izraelite i ka cilësuar militantët e Hamasit si “nazistët e rinj”, duke i krahasuar sulmet ndaj Izraelit sot me fatkeqësinë e holokaustit në Gjermaninë naziste.

Biden nga ana tjetër ka deklaruar për mediat se SHBA do sigurohet që Izraeli të ketë gjithçka që i nevojitet për të siguruar mbrojtjen e vendit nga sulmet armike.

Ai u shpreh se Hamasi nuk përfaqëson gjithë njerëzit palestinezë, ndërsa shtoi se është thellësisht i prekur dhe i zemëruar me sulmin e fundit në Gaza, ku u shkatërrua një spital me qindra pacientë.

Megjithatë ai iu drejtua kryeministrit izraelit, Netanyahu duke i thënë se bazuar në atë që ka dëshmuar dhe ka parë, Izraeli nuk është përgjegjës për sulmin.