Një punonjëse e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale Durrës dhe një gazetar janë arrestuar pasi akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin krijonin të dhëna të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme me qëllim denigrimin e figurës së tyre.
Të arrestuar janë Regina Omeri, punonjëse e AMP-së Durrës dhe gazetari Ervis Hasanaga. Në kërkim është shpallur Kushtrim Selimi.
Njoftimi i Policisë
Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve kibernetike dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Antonimet”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:
R. O., 34 vjeçe, punonjëse në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale Durrës;
E. H., 35 vjeç, me profesion gazetar.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi K. S., 39 vjeç, me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 celularë.
Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.