Lajmi për vdekjen e mbretëreshës Elizabeth II tronditi ditën e djeshme Mbretërinë e Bashkuar.
Ajo nuk ishte në vendbanim të përhershëm, por momentet e saj të fundit i kaloi në Kalanë Balmoral në Skoci.
Kalaja Balmoral ndodhet në Aberdeenshire, afërsisht në pjesën qendrore të Skocisë, në veri të Edinburgut. Mbretëresha Elizabeth II i kaloi ditët e fëmijërisë atje me motrën e saj Margaret dhe pikërisht aty Princi Philip i propozoi asaj martesë.
Kjo kështjellë e mrekullueshme është rreth 80 kilometra nga qyteti i Aberdeen. Ka qenë një rezidencë mbretërore për 170 vjet – burri i mbretëreshës Victoria, Princi Albert, bleu pasurinë nga familja Farquharson në 1852.
Mbretëresha Viktoria tha asokohe se kështjella ishte shumë e vogël, kështu që një pjesë e re u përfundua në 1856 në stilin e baronisë skoceze.
Pas vdekjes së Mbretëreshës Viktoria, familja mbretërore vazhdoi të përdorte Kalanë Balmoral për vizita të rastësishme dhe Mbreti George V bëri disa ndryshime nga viti 1910 në 1930, më i madhi prej të cilave kishte të bënte me kopshtet në anën jugore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, familja mbretërore nuk e vizitoi kështjellën dhe për shkak të konfliktit me Gjermaninë, edhe “Shatërvani i Mbretit Prusian” u hoq nga oborri.
Balmoral është në pronësi private, kështu që ndryshe nga shumica e rezidencave zyrtare mbretërore, nuk i përket “Kurorës”. Duke qenë se blerësi fillestar ishte Princi Albert, jo Mbretëresha Victoria, të ardhurat nuk shkojnë në Parlament ose në buxhetin e Mbretërisë së Bashkuar.
Pasi Eduardi VIII, i cili trashëgoi kështjellën, abdikoi, pronari i saj u bë Xhorxhi VI, dhe më pas ishte në pronësi të Elizabeth II, megjithëse pasuria menaxhohet nga një bord i caktuar me ligj të veçantë.
Është interesante se ka disa filma që janë frymëzuar nga ngjarjet e kësaj pasurie, si “The Queen” (2006) ose “Miss Brown” (1997), por që janë filmuar në vende të tjera, jo në Balmoral.
Megjithatë, kështjella është përjetësuar në letër – një ilustrim i Balmoral mund të shihet në anën e pasme të kartëmonedhës 100 £ të lëshuar nga Banka Mbretërore e Skocisë.