Rreth orës 07:00 të mëngjesit, ditë e diel (22 tetor), në sallën operative të Policisë në Vlorë u njoftua se është gjetur anë rruge, një vajzë 26-vjeçare në gjendje shoku dhe e pavetëdijshme.

Një person i stafit të një hoteli mori Policinë për t’i njoftuar për gjendjen e të resë.

Telefonata mobilizoi Policinë e Vlorës, për të zbuluar një histori të tmerrshme, ku trupi i një vajze të re u përdor nga një grup djemsh dhe më pas u la në rrugë.

Ngjarja e rëndë ka si protagonistë kryesorë 3 djem.

Ata janë Oltjan Tahiri, Albi Ceno dhe Gentjano Mehmeti. Bashkë me një person të katërt, i identifikuar si Klevis Delia, ata morën një vajzë 26 vjeçe për të festuar lirimin nga burgu të Klevis Deliajt.

Deliaj, një emër i njohur për Policinë e Shtetit ishte arrestuar në shkurt të 2022 për trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.  Të katërtë, janë filmuar në ambientet e një objekti shërbimi, bar-hotel-restorant, duke festuar me viktimën mbrëmjen e të shtunës.

Gazeta Jonë disponon informacione të plota për ngjarjen, shoqëruar edhe pamjet e viktimës, por për ruajtjen e dinjitetit të saj, redaksia nuk do t’i publikojë imazhet. Për orë me radhë, në kamerat e barit, grupi i djemve konsumuan lëndë narkotike e dyshuar si kokainë dhe alkool.

Më vonë, në orët që pasuan, Klevis Delia është larguar nga lokali dhe 3 djemtë, Oltjan Tahiri, Albi Ceno dhe Gentjano Mehmeti bashkë me vajzën 26-vjeçare u ngjitën në katin e dytë të hotelit, për të kryer marrëdhënie seksuale me dhunë në grup. Pasi e përdhunuan vajzën që ishte në gjendje totalisht të pavetëdijshme, ata e nxorrën nga hoteli dhe e lanë buzë rrugës që lidh hotelin me rrugën kryesore dhe më pas janë larguar me makinë.

Burime nga grupi hetimor e siguruan “Zëri.ai’ se hyrja dhe dalja, në dhomë dhe korridore, përfshirë edhe me momentet që vajza ishte në tavolinë me djemtë, është filmuar nga kamerat e sigurisë. Pamjet janë referuar nga Policia e Vlorës në Prokurori. Dy nga autorët janë arrestuar nga Policia ndërsa Gentjano Mehmeti është shpallur në kërkim. Deri më tani, dëshmitë e tyre ende nuk janë zbardhur.

Viktima, e shkatërruar dhe pa vetëdije ndodhet në reanimacion

Vajza 26-vjeçare e cila u përdor nga grupi për të festuar lirimin nga burgu të Klevis Deliajt,( i cili deri më tani, redaksia me informacionet që ka marrë, ka rezultuar se nuk është përfshirë në aktin e përdhunimit por vetëm në aktet që grupi ka kryer në tavolinë përfshirë drogimin dhe konsumin e alkoolit,) ndodhet në reanimacionin e spitalit të Vlorës.

Zëri ishte në spital dhe mundi të kontaktonte vajzën. Ajo ndodhet në gjendje shoku dhe ende nuk mban mend asgjë nga ajo që ka ndodhur. E reja nuk ka aftësinë as të komunikojë me Policinë apo Prokurorinë dhe aktualisht ndodhet në kujdesin e mjekëve dhe familjarëve. Punonjës të Policisë qëndrojnë te dera e dhomës me qëllim shmangien e futjes së çdo familjari nga ana e autorëve për të ndikuar në dëshminë e viktimës para Prokurorisë. Vajza nuk di të thotë se çfarë ka ndodhur, se a ka patur njohje me autorët dhe për mënyrën sesi rrodhën ngjarjet e të shtunës që përfunduan në gjendjen e sotme.

Politikë dhe media, lidhjet e fuqishme të grupit të përdhunuesve

Edhe pse është e çuditshme, edhe në këtë rast, sërish nuk mungojnë lidhjet e forta të personave të përfshirë. Më konkretisht, Zëri ka mësuar se njëri nga djemtë është djali i një biznesmeni të njohur në qytetin e Vlorës, në fushën e kulinarisë dhe hoteleve, ndërsa tjetri, është vëllai i një këshilltareje të Partisë Socialiste në Bashki. E motra këshilltare, sqarojnë burime të “ZëRI”, tentoi disa herë të minimizojë lajmin ditën e djeshme, duke mundësuar fshirjen e emrit të të vëllait nga disa portale kryesore në Tiranë.

Zbërthimi i “vajzës” dhe pamjet e sigurisë

Pikat kyçe që do ti japin një tjetër panoramë kësaj çështje është dëshmia e viktimës dhe versioni që ajo do të japë para hetuesve, përfshirë edhe pamjet e sigurisë. Analizimi i pamjeve nga hyrja në bar, për të kaluar më pas në dhomën e hotelit, konsumimi i drogës dhe më pas abuzimi, janë disa nga momentet kryesore. Në burg sot janë Oltjan Tahiri dhe Albi Ceno, ndërsa Klevis Delia është ndaluar sot për të dhënë deklarimin e tij si person në dijeni. Në kërkim është Gentjano Mehmeti. Arrestimi i tyre dhe vënia përpara drejtësisë është detyrim përpara asaj viktime, që nëse një punëtor hoteli nuk do ta kishte pikasur në orën 07:00 të mëngjesit të së dielës, historia sot do të fliste ndryshe.