Prokuroria e Posaçme e akuzon Jamarbër Malltezin, dhëndër i ish-kryeministrit, se arriti të transformojë një trashëgimi modeste prej 113.7 m2 tokë në një pasuri prej miliona eurosh përmes kontratave sekrete dhe vendimeve të Berishës në favor të biznesit të tij.

Më 1 qershor 2022, Fatmir Bektashi, biznesmen, pronar ose bashkëpronar i një numri kompanish ndërtimi në Tiranë, i dërgoi një email zyrës së vet të parapëlqyer të noterisë. Ai bënte me dije për efekt mbajtje llogarish:

“Janë tërhequr dividend nga Z.Fatmir Bektashi 637 mijë euro dhe janë paguar për Z.Malltezi: paguar CASH vlera 547 mijë euro dhe 90 mijë euro fatura konsulence.”

Mbajtja e kontabilitetit është një punë rutinë, por e domosdoshme e biznesit, vetëm se në këtë rast, ruajtja e sekretit kishte gjithashtu një rëndësi vendimtare.

Ky sekret ra megjithatë në duart e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, pasi hetuesit sekuestruan komputerin në zyrën e noterisë ku mbaheshin llogaritë e Jamarbër Malltezit.

Të dhënat ndihmuan prokurorët që të zbërthenin një histori të komplikuar biznesi, përmes së cilës, Malltezi arriti të përfitojë së paku 5.4 milionë euro, duke u nisur nga një aset modest i trashëguar prej 1/67 pjesë, ose 113.7 metra katrorë tokë në total, e gjitha brenda një periudhe disavjeçare.

Malltezi u arrestua të shtunën nga policia dhe pritet të përballet në gjyq me akuzën e korrupsionit pasiv, të kryer në bashkëpunim me vjehrrin e tij, ish-kryeministrin Sali Berisha.

Ky i fundit, i vendosur në masë sigurimi detyrim paraqitjeje, i ka hedhur poshtë akuzat si hakmarrje politike dhe ligjërisht të pabazuara./Reporter.al

Artikulli i plotë këtu.