Pasi pësoi një humbje të thellë përballë rivalit të tij, Erion Veliaj, kandidati i “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka thyer heshtjen.
Në një deklaratë për mediat Këlliçi u shpreh se rezultati në këto zgjedhje nuk pasqyron vullnetin e lirë të qytetarëve, por një makineri të madhe shantazhi. Mes të tjerash demokrati tha se ndoshta programi i tij nuk iu ka mjaftuar qytetarëve, ndërsa theksoi rëndësinë se duhet reflektim.
“U kërkoj me përulje për të vijuar numërimin për këshillin bashkiak për ekipin tonë. Rezultati nuk pasqyron realitetin dhe nuk është shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve, por e fituar nga një makineri e madhe shantazhi. Po përgatisim dokumentacionin e plotë për shkeljet e bëra.
Isha plotësisht i vetëdijshëm për pjesëmarrjen më të pabarabartë të 32 viteve. Por dola para qytetarëve me një program që vuri në qendër nevojat e qytetarëve. Mesa duket kjo nuk mjaftoi. E kam lexuar shumë mirë këtë fakt. Shoqëria pret më shumë. Të gjithë duhet të reflektojmë. Nuk do të thotë që po tërhiqemi, por duhet të kërkojmë brenda. Dhashë gjithçka nga vetja ime, duke hequr dorë dhe nga mandati i deputetit”, u shpreh ai.