Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha në konferencën e sotme për shtyp se në verën e vitit 1991 kishte bërë një betim se do të largohej nga politika nëse do të humbiste me zgjedhje të lira. Dhe duke qenë se, sipas tij, zgjedhjet vendore të 14 majit ishin të blera dhe të manipuluara nga qeveria, ai do të vazhdojë betejën në krye të opozitës shqiptare, e cila, sipas tij, dëshmoi në këto zgjedhje se është e paasgjësueshme.

“Cila është e vërteta? Një përpjekje antiligjore, antikushtetuese për të asgjësuar me çdo kusht opozitën e vërtetë. Kjo është fakt. Kjo është ndërhyrje direkte në fushatë, kjo nuk është shpikje e imja, ky është një realitet.

Në kundërshtim me çdo lloj parimi dhe ligji, PD-ja, forca kryesore opozitare u fut në zgjedhje pa logo dhe emri i kryetarit të koalicionit u refuzua në mënyrën më staliniste. Të gjitha këto kishin për qëllim zhdukjen e opozitës.

Tani procesi ka mbaruar. Çfarë ndodhi? 500 mijë shqiptarë votuan opozitën. Dështuan të gjithë ata, vendas dhe të huaj, që donin të zhduknin opozitën.

Opozita dëshmoi se është e paasgjësueshme. Opozita është në këmbë, e vendosur të qëndrojë më fuqishëm se kurrë për interesat e shqiptarëve.

Së dyti, kemi një statut partie, se ka njerëz që keqkuptojnë. Përdorin dy lloje mashtrimi, tezash. Ai statut do zbatohet pikë për pikë. Unë jam ky që jam sot këtu.

Në verën e vitit 1991 kam bërë një betim, që zgjedhjet e para të lira që do humbas, unë largohem nga politika. Unë nuk tërhiqem përpara krimit monstruoz elektoral. Vetëm sa më shtojnë motivet. Por anëtarët e PD, në përputhje me statutin, do ftohen. Ata që rrinë nëpër ekrane, ata rrahin ujë në hava,” tha Berisha.

“Unë para jush do paraqes çdo ditë, me fakte të pakundërshtueshme fytyrën e shëmtuar, dimensione të ndryshme të farsës së shëmtuar elektorale 2023. Shqiptarët do të marrin vësh me përgjegjësi të plotë të gjitha aktet që u kryen për të dhunuar vullnetin e tyre të lirë, për të mbajtur regjimin e narkoshtetit të vetëm dhe të parë në Europë, regjimin e Edi Ramës,” theksoi kreu i PD-së.