Zbardhen detaje të reja lidhur me hetimin për koncesionarin e sterilizimit me vlerë afro 100 mln eurosh për të cilën janë arrestuar ish zv/ ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj si dhe 6 zyrtarë janë nën hetim në gjëndje të lirë.

Sipas SPAK” kontrata koncesionare ka fryrë kostot me 56.4% krahasuar me sektorin publik”

Gjatë hetimeve është sekuestruar posta elektronike e biznesmenit Ilir Rrapaj e mes tyre janë dhe dy emaile që ky i ka dërguar zv/ministrit Klodian Rjepaj në shkurt dhe mars të vitit 2014, përmes së cilave i dërgon dy studime të universitetit të Peruxhias, që u përfshinë më pas në studimin e fizibilitetit.

Në email duket raporti i ngushtë miqësor mes tyre, një raport i cili ka nisur që në auditoret e fakultetit

“I dashur Fra’! Ky është teksti që të paralajmërova, për të cilin Vanesa më shkruante. Hidhi një sy dhe na çoni haber. Shpresoj të të ketë lëshuar sadopak dhimbja e veshit tanimë,” i shkruante Rrapaj zv.ministrit Rjepaj.

Në të njëjtën ditë, më 17 mars 2014, zv.ministri ia pason emailin shefit të tij, ministrit të atëhershëm Ilir Beqaj në emailin zyrtar dhe atë privat.