Një 27-vjeçar nga Kruja është arrestuar, pasi ishte shpallur në kërkim për disa vepra penale. I riu u arrestua nga Policia e Durrësit, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Tiranës me 10 vite burg për veprat penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”, “Shfrytëzim i prostitucionit”, “Nxitje për përdorim të drogës” dhe “Drejtim automjeti në mënyrë të parregullt”.

Policia bën me dije se 27-vjeçarit i kanë mbetur dhe 5 vjet e 4 muaj burg për të shlyer nga dënimi i tij.

“Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me forcën e Posaçme “Shqiponjat”, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në inteligjencën policore mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kryqëzimi”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur te Kryqëzimi i Fllakës Durrës, shtetasin A. B., 27 vjeç, banues në Krujë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar pasi Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin e datës 26.09.2024, e ka dënuar me 10 vite burg për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”, “Shfrytëzim i prostitucionit”, “Nxitje për përdorim të drogës” dhe “Drejtim automjeti në mënyrë të parregullt”, ku i kanë mbetur për të vuajtur dhe 5 vjet e 4 muaj burg.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton policia. /gazetajone