Personi që shihni në foton e mësipërme është 28-vjeçari Nikoll Sherrniku, nga Fushë Kuqe e Kurbinit, i njohur si anëtar i grupit të Ervis Martinajt dhe shok i ngushtë i nipit të vrarë të këtij të fundit, Brilant Martinajt.
Gjykata e Tiranës i ka caktuar atij ditën e sotme masën “arrest me burg” në lidhje me atentatin e regjistruar mbrëmjen e 12 Marsit ndaj lokalit të Fation Muratit, ku mbeti e vrarë aksidentalisht banakierja e lokalit Mimoza Paja.
Në lidhje me këtë ngjarje ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”. Nga hetimet ka rezultuar se Nikoll Sherrniku ka marrë targat e huaja në shtetin gjerman, sjelljen e tyre në Shqipëri, dhe vënien në dispozinon të këtyre targave personave të tretë (autorëve), të cilët më pas i kanë ruajtur dhe përdorur këto targa në një automjet tip “BMW” seria 5, ditën e ngjarjes.
Por, Nikoll Sherrniku ndodhet në burg, pasi ky nuk është krimi i vetëm për të cilin ai akuzohet.
Ai u arrestua më 17 Gushtin e vitit të kaluar, pasi sipas Policisë, po tentotnte të kryente një atentat. Ai u kap në automjetin e blindur tip “Toyota” të parkuar në afërsi të një pallati në Kune të Shëngjinit, bashkë me drejtuesen e mjetit 34-vjeçarja, Flutura Berisha dhe një i mitur 15 vjeç. Policia iu sekuestroi një automatik me fishekë në fole gati për qitje, dy krehëra me fishekë, 2 radio marrëse – dhënëse si të Policisë, si dhe automjeti i blinduar me të cilin lëviznin këta shtetas.
Por, ditën kur u arrestua, Nikoll Sherrniku theu dhe masën “arrest shtëpie” pasi akuzohej për një tjetër. Ai ndoedhej nën atë masë në lidhje me implikimin e tij në ngjarjen e ndodhur në dhjetor 2021, ku mbeti i vrarë me armë zjarri ish-punonjësi i Policisë, shtetasi Xhuliano Prela. Për vrasjen e këtij të fundit është akuzuar dhe Brilant Martinaj, i cili kishte fituar lirinë, para se të vritej tek masakra e mbikalimit të Fushë Krujës.