Katerina Zeqo dhe i biri, 7 vjeç, panë të gjithë skenën e vrasjes së personit të tyre të zemrës. Roan Brahimi u vra pak ditë më parë nga dy persona të maskuar në Greqi, ku edhe kishte shkuar për të kaluar Pashkët me familjen. Tani që kanë kaluar pak ditë nga ngjarja, gruaja e tij ka folur për mediat greke, edhe pse ende e tronditur. Ajo pretendon se nuk ka ditur asgjë lidhur me të shkuarën e tij në Shqipëri, por vetëm se sapo kishte ardhur në Greqi për të kaluar festat me ta.

“Nuk dija asgjë, nuk më kishte thënë asgjë, erdhi të shtunën për Pashkë”.

Ajo ka përshkruar edhe momentet e fundit me të.

“Isha në makinë me të, por nuk mbaj mend se çfarë ndodhi. Më pas dola nga makina. Fëmija pa gjithçka. Tani e ka mamaja ime, unë rri në shtëpi. Nuk jam aspak mirë që të kujdesem për të,”– u shpreh ajo. Por nuk dha asnjë detaj tjetër për të shoqin, i cili në Shqipëri ishte përmendur për ngjarje të rënda dhe atentate që kanë marrë jetë njerëzish.

Në një video të nxjerrë nga MEGA-s, 32-vjeçari duket i vdekur jashtë makinës së tij. Dy vrasësit mbajnë helmeta të errëta që mbulojnë tiparet e tyre. Ata qëndrojnë pranë derës së shoferit dhe qëllojnë. Dy plumba morën jetën. Pasi ndodh vrasja, fillimisht gruaja e tij humbet fillimisht ndjenjat dhe kur i vjen vetëdija, ajo zbret nga sedilja e pasagjerit e gjakosur.

“Dritarja ishte pak e hapur dhe ai u qëllua përmes kësaj hapësire. Po prisnim të vinte djali, por e qëlluan,”-shtoi ajo.

Sidorel Prendi ose i njohur edhe me emrin e tij të ri, Roan Brahimi u ekzekutua në sy të gruas së tij, Katerina Beqo 37 vjeç, dhe djalit të mitur, i cili ishte duke luajtur në parkun afër vendit të ngjarjes. Sipas gazetarit grek Vasili Lampropoulos, pas ngjarjeve në Shqipëri, Brahimi kishte qenë për një kohë të gjatë në Greqi, por ka lëvizur edhe në vende të tjera, më konkretisht në Spanjë, Itali dhe Francë. Por ka pasur dyshime edhe se vrasësit ndiqnin në mënyrë periodike partneren dhe fëmijën e tij në Greqi. Atje e gjetën me vigjilencën e ulët dhe e ekzekutuan. Prej dy vitesh, Roan Brahimi ishte larguar nga Shqipëria për t’iu fshehur drejtësisë dhe hakmarrjes së mundshme nga rival.