Hetimet e Prokurorisë së Posaçme tregojnë se një rrjet i gjerë zyrtarësh publikë nga institucione qendrore dhe lokale u vunë në dispozicion të interesave të biznesit që ka kushtuar deri më sot rreth 100 milionë euro – por akuzat kufizohen kryesisht te shpërdorimi i detyrës.

Në fund të vitit 2014, një specialist i sapodalë në pension i menaxhimit të mbetjeve merr një ofertë për t’u bërë këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit. Por në të njëjtën kohë, ish- sekretari i Përgjithshëm, Alqi Bllako e çon të punojë për llogari të kompanisë “Integrated Technology Services” me aksioner Klodian Zoton.

Vladimir Bezhani ka dëshmuar në Prokurori se meqë pozicioni i tij si këshilltar i ministrit nuk paguhej, Bllako i kishte thënë se për të marrë pagën do ta punësonte te kompania e Zotos.

Investimi u kthye shpejt mbrapsht dhe në procedurat e koncesionit të inceneratorit të Tiranës, Bezhani luajti një rol të rëndësishëm për ta furnizuar kompaninë e Zotos me të dhëna mbi sasinë e mbetjeve që prodhonte Bashkia e Tiranës si dhe studime të mëparshme të kryera për menaxhimin e mbetjeve në kryeqytet.

Kjo do të ishte vetëm “maja e ajsbergut” në shkrirjen e funksionit publik me interesat private në aferën e inceneratorit të Tiranës – ku një sërë zyrtarësh të qeverisë qendrore dhe asaj lokale dyshohet se u vunë në dispozicion të projektit koncesionar të përfaqësuar nga dy biznesmenët në arrati, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Gjashtë vjet pas miratimit të kontratës, gropa financiare është e stërmadhe me gati 100 milionë euro të shpenzuara përmes buxhetit të shtetit, tarifës së depozitimit të mbetjeve dhe tarifës së operatorëve privatë për depozitimin e dherave, ndërkohë që inceneratori i premtuar nuk u ndërtua asnjëherë.

Pavarësisht dëmeve, akuzat u kufizuan te shpërdorimi i detyrës për ish-ministrin Lefter Koka dhe 11 zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Bashkisë së Tiranës, Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve, ATRAKO.

Ish-deputeti Alqi Bllako akuzohet për korrupsion, ndërsa Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto për veprat penale të mashtrimit me pasoja të rënda dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme për aferën e inceneratorit të Tiranës zgjatën tre vjet dhe identifikuan shtatë shkelje të mëdha ligjore në procedurat e dhënies së bonusit nga Këshilli i Ministrave, përgatitja e dokumenteve të koncesionit, studimi i fizibilitetit me të dhëna fiktive e deri te fshehja e pronësisë përmes një kompanie guackë në Holandë dhe paraqitja e të dhënave të rreme në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Ndërkohë, përfaqësues të opozitës e akuzuan Prokurorinë se kishte amnistuar nga hetimi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryeministrin Edi Rama.

“Ashtu siç e kisha paralajmëruar, ndodhi amnistria e vjedhjes së shekullit, akti më kriminal në historinë e drejtësisë shqiptare,” deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një konference për shtyp.