Luigj Aleksi, kryetar i shoqatës së ndërtuesve denoncoi sot në komisionin hetimor për inceneratorët, se bashkia e Tiranës u ka vendosur kusht për lejet e ndërtimit, faktin që duhet të kenë marrëveshje me inceneratorin në Sharrë për depozitimin e dherave.

Ai tha se nuk janë në dijeni nëse ka një akt të shkruar për këtë, por theksoi se në shqetësimin që u kanë ngritur jo vetëm bashkisë së Tiranës, që u ka thënë se “jemi si ju klientë”, por edhe tre ministrave Klosit, Gjiknurit dhe Qatos nuk morën zgjidhje.

“Në katalogun e mbetjeve, ky aneks, parashikon që kjo direktivë Europiane përcakton masat. Në lidhje me menaxhimin e dheut si mbetje, nuk parashikon asnjë detyrim për ta depozituar në landfill apo për ta trajtuar atë.

Përjashtohet nga fushë veprimi toka e pa kontaminuar dhe materiale të tjera. Ky është fakti, kjo është esenca. Në një kohë, që ne cdo metër kub dhe që çojmë në landfill detyrohemi ta paguajmë si mbetje, dhe t’i japim pronarit të landfillit edhe një taksë.

Taksa varion dhe miratohet me vendim të këshillit bashkiak. Luhatet nga 350 lekë për ton, ndërkohë që ky dhe është lëndë e parë për landfillin, ai e pasuron dhe jo e helmon.

Që në 2018 që doli ky problem i kërkuam bashkisë takim, kemi marrë një përgjigje që bënin të paditurin dhe nuk na kanë treguar, na thanë jemi si ju klientë, ndërkohë ata miratojnë çmimin na detyrojnë të shkojmë të bëjmë marrëveshje me landfillin.

Në 2018 i kemi shkuar edhe ministrisë së Turizmit, Gjiknurit dhe Sonila Qatos për sipërmarrjen dhe kjo nuk është korrigjuar. Ne jemi ankuar për dherat nga zonat e pakontaminuara” tha ai.

Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku e pyeti, “si ju detyron ju bashkia të shkoni te koncesionari?”. “Nuk jep lejen e ndërtimit pa kryer marrëveshjen me inceneratorin.

Do të paguani taksën e dherave, do të sillni dokumentin këtu që të merreni lejet dhe kjo bëhet për dherat që dalin nga gërmime të pastra dhe për mbetjet, për të cilat jemi dakord. Ky është gabimi, dheu është mall nuk është mbetje” sqaroi shkurt dhe qartë, Luigj Aleksi.

Bashkia ju bën presion? “Thotë do të bëni marrëveshjen me inceneratorin se do të paguani taksën. Nuk kemi asnjë akt zyrtar” tha ai.

Lefter Gështenja shkoi edhe më tej duke akuzuar se “Policia bashkiake dhe e shtetit janë në dispozicion të koncesionarit.

Në momentin që hapet gropa e ndërtimit, policia e shtetit dhe bashkiake komunikojnë me inceneratorin për të dërguar të gjithë dheun atje” tha deputeti i PD-së.