Mario Balotelli mbete një nga personazhet më të veçantë të futbollit botëror në dekadën e fundit, një talent i shkuar dëm për shumëkënd. Ai ka kombinuar paraqitje të mira në fushë, me sjellje të parregullta në jetën private jashtë saj, situatë që ka penalizuar karrierën e tij që mendohej se do ta bënte një nga sulmuesit më të njohur në botë.
Vetë Balotelli ka treguar në një emision radiofonik në Itali pjesë të kësaj karriere dhe disa nga ngjarjet më të veçanta të karrierës. Një nga ato është gjysmëfinalja e Interit në Ligën e Kampioneve ndaj Barcelonës, ku ai doli duke hedhur fanellën zikaltër në tokë.
“E nisa ndeshjen mirë, por pastaj gabova 2-3 topa, “San Siro” më vërshëlleu dhe nuk e përjetova mirë, ishte gabimi im për reagimin dhe u ndjeva keq atë ditë. Nuk e kuptoja se përse po më vërshëllenin për 2-3 topa të gabuar. Materazzi më ndoqi në dhomat e zhveshjeve dhe u grindëm verbalisht. Për të ishte një reagim si prej një vëllai të madh, por nuk më goditi.
Unë jam milanist, por i detyrohem Interit për karrierën time. E kam dashur dhe e dua shumë edhe sot, më ka promovuar dhe ka besuar te unë. Moratit i detyrohem për gjithçka.
Mourinho? Kam pasur një raport të mirë me të, por të dy kemi karaktere të vështira për t’u menaxhuar. Kishim përplasje idesh, por ishin përplasje mes një babai dhe të birit. Një herë u nisëm nga Apiano për të luajtur në Katania, sapo dolëm nga qendra stërvitore kisha një zënkë me Mourinhon në autobus, nuk më kujtohet për çfarë arsyeje. Më kujtohet vetëm se ndala autobusin, zbrita, mora makinën dhe u ktheva në shtëpi. Më pas Interi e humbi ndeshjen 1-2. E di që kam bërë budallallëqe por nuk jam fshehur kurrë. Mourinho bëri diferencën te viti i Triplete, ai nxjerr më të mirën nga ty, të bën të inatosesh. Dhe ti, për të reaguar, je gati të thyesh gjithçka, nxjerr gjithë adrenalinën që ke në trup:”, shpjegoi “SuperMario”, cili më pas kujtoi shkelmin e famshëm që mori nga Totti.