Në fillim të dhjetorit të vitit të shkuar, një helikopter i Forcave Ajrore u ngrit nga fusha e futbollit në stadiumin e “Vllaznisë” në Shkodër dhe fluturoi përmbi Alpet e veriut të Shqipërisë. Por ky nuk ishte një fluturim emergjence dhe as ndonjë mision i rëndësishëm ushtarak.
Helikopteri i ushtrisë shqiptare fluturoi drejt Alpeve me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, kreun e Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli dhe zv.presidentin e Komitetit Olimpik austriak, Peter Schröcksnadel në bord.
Përmes një postimi në Facebook më 2 dhjetor, Beci e përshkroi përvojën si “një udhëtim i bukur pune me investitorë austriakë për të vlerësuar potencialin për resort skish në Alpe…”. Në videon e postuar nga Beci, tre udhëtarët dhe shoqëruesit e tyre pozojnë të buzëqeshur me pamjet magjike të Alpeve pas shpine.
Helikopteri i publikuar në video i përket flotës së vogël dhe problematike të mjeteve ajrore Cougar në dispozicion të ushtrisë shqiptare, të cilat gjatë viteve të fundit kanë vuajtur nga avaritë dhe problemet e vazhdueshme me mirëmbajtjen.
Edhe pse nuk ka një ligj që rregullon specifikisht përdorimin helikopterëve ushtarakë, rregullore të brendshme të Shtabit të Përgjithshëm normojnë përdorimin e tyre në misione ushtarake, në rastet e emergjencave civile dhe në transportin e zyrtarëve më të lartë të shtetit.
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci i tha BIRN përmes telefonit se udhëtimi ishte organizuar nga Komiteti Olimpik Shqiptar dhe se ai ishte thjesht “shoqërues në udhëtim”.
“Mua më morën në Shkodër, e kishte organizuar Komiteti Olimpik Shqiptar”, the Beci.
Kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli nuk pranoi të komentonte deri në publikimin e këtij shkrimi dhe i kërkoi pyetjet me shkresë zyrtare.
Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se përmbushja e kërkesës së ardhur nga Komiteti Olimpik Shqiptar për vënien në dispozicion të helikopterit ishte brenda rregullave. Shtabi tha gjithashtu se ky fluturim përputhej me misionin e Forcave të Armatosura “për promovimin dhe lartësimin e emrit të vendit në arenën ndërkombëtare përmes kontributit të sportistëve të nivelit të lartë”.
“Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit civilo-ushtarak kanë detyrimin të bashkëpunojnë me autoritetet civile dhe organizatat qeveritare e joqeveritare,” tha Shtabi i Përgjithshëm, duke shtuar se aktualisht siguronte kapacitete të mjaftueshme të transportit ajror në gatishmëri të plotë.
Kjo nuk është hera e parë që helikopterët e Forcave Ajore përdoren për qëllime përtej misionit ushtarak. Në vjeshtë 2020, opozita denoncoi se atëherë ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, përdori helikopterin për të marrë pjesë në aktivitete të Partisë Socialiste. Më herët në vitin 2013, socialistët dhe opozita e kohës, akuzuan Arben Imamin, ish-ministrin e Mbrojtjes në qeverinë Berisha, se kishte lejuar përdorimin e helikopterëve dhe pilotëve të bazës ajrore në Farkë për videoklipin e një këngëtareje.
Rasti më i fundit i shpërdorimit të helikopterit të Forcave Ajrore për udhëtimin në Alpe kritikohet si një akt i paligjshëm dhe në dëm të kapaciteteve ushtarake shqiptare.
“Nuk mund të përdoren mjetet e Forcat Ajrore për të bërë xhiro turistike, nuk janë taksi. I bie t’i kthesh Forcat Ajrore në agjenci turistike apo agjenci taksish,” tha për BIRN Artur Meçollari, ish-zv.komandant i Forcës Detare.
“Është plotësisht e jashtëligjshme. Sjell amortizimin e panevojshëm të kapaciteteve dhe gadishmërisë së Forcave të Armatosura, për një aktivitet që nuk është objekt i fushës së tyre të punës”, shtoi ai.
Edhe Lindita Metaliaj, deputete e Partisë Demokratike dhe anëtare e Komisionit të Sigurisë Kombëtare e cilëson flagrant rastin. Metaliaj tha gjithashtu se rasti meritonte të hetohej pasi shkelja e ligjit dhe shpërdorimi i parave publike ishte sipas saj i qartë.
“Përdorimi i këtyre mjeteve për qëllime private e bën paligjshmërinë akoma edhe më flagrante”, tha Metaliaj, ndërsa akuzoi kryeministrin për instalim të një kulture të përdorimit të mjeteve shtetërore për qëllime private.
“…nëse organet e drejtësisë do të funksiononin, ata duhet të japin llogari për paratë e shpërdoruara të taksapaguesve,” përfundoi ajo./reporter.al