Një ish-oficer policie nga Shqipëria është dënuar për kultivimin e qindra bimëve kanabis në një njësi industriale në West Lothian. Igli Duka, 24 vjeç, u arrestua pasi policia bastisi një ish-ndërtesë garazhi në Houston Industrial Estate, në Livingston, vitin e kaluar, raporton BBC.
Ai pretendoi se një gangster famëkeq që ai kishte arrestuar më parë në vendin e tij e kishte shantazhuar atë për të qenë “kopshtari” për fermën e kanabisit. Duka tha se gangsteri kishte kërcënuar familjen e tij pasi kishte dalë nga paraburgimi i policisë.
Avokati i Dukës, Andy Aitken, pretendoi se anëtari i “rangut të lartë” të bandës kishte dhënë ryshfet për të dalë nga paraburgimi. Avokati i tha gjykatës së Sherifit të Livingston se anëtari i bandës më pas i tha të akuzuarit dhe familjes së tij se ai i mbante ata përgjegjës për 50,000 paund që kishte paguar për lirinë e tij. Aitken tha se Duka ishte arratisur në Britani të Madhe nga frika për sigurinë e tij dhe kishte gjetur punë në një kantier ndërtimi në Birmingham. Familja e tij iku në Greqi, por babai i tij u detyrua të kthehej në Shqipëri për shkak të problemeve shëndetësore. Por ai pretendoi se banda u kap me të atin dhe e detyruan të tregonte vendndodhjen e Dukës. Dukës iu dha zgjedhja që të kujdesej për fermën e kanabisit ose të përballej me pasoja të rënda për familjen e tij në Shqipëri.
24-vjeçari u deklarua fajtor për prodhimin e drogës së klasit B. Sherifi Peter Hammond theksoi se Duka kishte hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe vuri në dukje se, duke qenë se Ministria e Brendshme ishte në dijeni të situatës së tij, ai përballej me dëbimin.