Mbrojtësi i Shqipërisë, Ardian Ismajli ka qenë fenomenal në barazimin pa gola të skuadrës së tij Empoli në duelin ndaj Juventusit këtë të shtunë të luajtur në “Stadio Carlo Castellani”.

Empoli priti Juventus-in për javën e katërt të Serie A dhe ajo që ra në sy ishte një paraqitje dinjitoze e vendasve në prapavijë, me në krye mbrojtësin kuqezi Ismajli.

Juventusi, edhe pse me shumë yje në fushë, nuk arriti të depërtonte në mbrojtjen kundërshtare, e cila ishte soldie përgjatë gjithë takimit.

Bardhezinjtë patën 15 tentativa në portën e Empoli-t, ku vetëm tre prej tyre ishin në kuadrat, ndërsa dy u bllokuan nga Ismajli.

Falë këtij rezultati Empoli vazhdon ecurinë fantastike të këtij fillim sezoni, ku deri më tani janë të pamposhtur teksa kanë regjistruar 3 barazime dhe 1 fitore. I pamposhtur mbetet edhe Juventus i teknikut Thiago Motta, ku pas katër javëve ka arritur të regjistrojë 2 fitore e 2 barazime.