Mediat greke kanë publikuar foton e Azdren Muharemi alias Jasona Mërkuri, shqiptarit të arrestuar nga policia greke si kreu i një grupi kriminal që kishte trafikuar 210 kg kokainë nga Amerika Latine në bashkëpunim me trafikantin e njohur grek Ioannis Viglakis.

Jasona Mërkuri nga Patosi, sipas mediave greke kujdesej për gjetjen e sasive të trafikuara të drogës, financimin e blerjes dhe transportit dhe organizimin e dërgesës nga Panamaja drejt vendeve europiane

Ortaku i tij ishte Marsel Stafaj 36-vjeç po nga Shqipëria, i cili merrej me gjetjen dhe rekrutimin e partnerëve në Greqi për importimin dhe marrjen e drogës dhe trafikimin e mëtejshëm të saj.

Operacioni

Autoritetet greke kanë publikuar detaje nga operacioni, duke bërë me dije se vlera e drogës së sekuestruar përllogaritet se do t’i kalonte 5 milionë euro.

Operacioni është realizuar nga oficerët e Prokurorisë së Narkotikëve në bashkëpunim me DEA-n amerikane dhe godet një organizatë që ka transportuar edhe më parë drogë nga Amerika Latine.

Në pranga kanë rënë dy shtetas shqiptarë (Azdren Muharemi dhe Marsel Stafaj) dhe dy grekë, të katërt të njohur nga policia helene si eksponentë kriminalë. Gjatë operacionit, policia ka mësyrë edhe në banesat e të arrestuarve duke gjetur kokainë, kanabis, mbi 130 mijë euro kesh, armë dhe fishekë.

Siç rezulton nga hetimet, organizatori i rrjetit është 48-vjeçari Azdren Muharemi alias Jasona Mërkuri, i cili kujdesej për gjetjen e drogës në burim, financimin e blerjes dhe transportit drejt Greqisë, duke e fshehur në kontejnerë e më pas organizimin e shpërndarjes së drogës që vjen nga Panamaja drejt vendeve europiane.

Partneri i drejtpërdrejtë i 48-vjeçarit është një bashkëkombës i tij 36-vjeçari Marsel Stafaj, i cili merrej me gjetjen dhe rekrutimin e partnerëve në Greqi për të siguruar kalimin e drogës në portin e Pireut.

Sa i përket anëtarëve grekë të grupit, njëri prej të tyre ishte përgjegjës për komunikimin me anëtarët e organizatës kriminale me qendër jashtë vendit, duke i përfaqësuar ata për koordinimin e furnizimit dhe financimit të blerjes së sasive të drogës që do të trafikohej, ndërsa tjetri siguronte mbrojtjen e “liderit”, duke marrë masat e duhura për të shmangur arrestimin e tij.

Karriera kriminale

Vlen të theksohet se Azdren Muharemi që cilësohet koka e grupit, është shpallur në kërkim në vitin 2017, pasi akuzohej si përgjegjës për financimin dhe ngritjen e një laboratori për prodhimin e drogave sintetike.

Në veçanti, ai ka drejtuar një laborator për prodhimin dhe standardizimin e formulës sintetike “Captagon” në prefekturën e Peramos, ku u sekuestruan 634 mijë tableta.

Asokohe, gjykata e Athinës e ka dënuar shqiptarin me 20 vjet burg dhe 100 mijë euro gjobë.