F.S është një grua rreth të 40-ave, e cila së bashku me familjen e saj jeton në mjerim ekonomik. Kur njerëzit bien në dëshpërim financiar, kanë tendencën të marrin vendime katastrofike, që i zhysin edhe më shumë në gropën e mjerimit. Për ata kjo është spiralja e së keqes. Por për disa të tjerë, mjerimi i tyre ofron mundësi pasurimi.
Për shkak të stresit financiar, një ditë F.S u paraqit në një nga zyrat e shumta të Kredo.al, një kompanie mikrofinance, që jep borxh të shpejtë. Ajo që firmosi në atë zyrë është një vepër e mirëfilltë penale.
Gazeta disponon kontratën e kredisë. F.S ka marrë 50 mijë lekë borxh me interes efektiv vjetor 392.4 për qind. Për ta shpjeguar më thjeshtë, ky interes do të thotë se nëse dikush merr 500 euro borxh sot, në krye të vitit duhet të kthejë mbrapsht rreth 2 mijë euro.
Ai i F.S nuk është një rast i izoluar. M.C është një tjetër shtëpiake e cila ra në të njëjtin kurth. Këtë herë, jo tek Kredo.al, por tek një tjerë kompani microfinance, që quhet Iute Credit. Sipas kontratës, ajo mori 28 mijë lekë borxh nga Iute më afat 4 mujor dhe normë efektive interesi 98 për qind. Ky nuk është borxh. Nuk është as fajde. Ky është krim.
Iute, Kredo dhe shumë kompani të tjera, që po lulëzojnë vrullshëm në Shqipëri, janë as më shumë e as më pak por Gjallica dhe Sudja në invers. Nëse Gjallica merrte borxh nga individët duke u premtuar kthim 300 për qind, Iute dhe Kredo bëjnë të kundërtën. Ato u japin borxh familjeve në mjerim dhe u ngarkojnë interes deri në 400 për qind. Në të dy rastet rezultati është i njëjtë; shkatërrim i familjeve. Dhe ky është një fenomen masiv, që ka marr sakaq përmasa të frikshme.
Sipas të dhënave nga bilancet respektive, Iute dhe Kredo kanë një portofol kredie prej 62 milionë eurosh së bashku. Krahasuar me një vit më para portofoli i tyre i kredisë është rritur me 50 për qind dhe kjo mjafton për të treguar qartë se çfarë po ndodh. Duke qenë se huaja mesatare e mikrofinancës është rreth 1 mijë euro, janë të paktën 60 mijë familje shqiptare që kanë rënë në kurthin e borxhit të lehtë, por skllavërues të mikrofinancës.
Arsyeja kryesore se pse ekziston sistemi financiar është se ai financon zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e familjeve. Në botë ka raste eksperiencash të suksesshme me mikrofinancën, kur ato financojnë komunitet rurale, që nuk kanë akses në sistemin bankar për të ngritur aktivitete ekonomike. Por në Shqipëri mikrofinanca e kredive të shpejta po financon mjerimin e mijëra familjeve në dëshpërim ekonomik. Pikërisht ky është dhe çelësi që mban në këmbë këtë mekanizëm skllavërues.
Viktimat e borxhit grabitqar të kompanive të mikrofinancës janë përgjithësisht klasat e ulëta. Këto janë familjet e varfra, njerëzit me vese si bixhozi, droga apo alkooli si dhe ata, me të cilët jeta nuk është treguar e butë. Për t’i bërë gjërat edhe me keq dëshpërimit të tyre ekonomik, u bashkohet edhe mungesa e njohurive financiare. Kjo i bën prenë e përsosur të gjahtarëve, që nxjerrin fitime me mjerimin.
Një pjesë e atyre që bien në këtë kurth nuk arrijnë kurrë të shlyejnë kredinë në afat. Më pas ndaj tyre nis një ofensivë e mirëfilltë në shkelje të ligjit dhe madje edhe të drejtave elementare të njeriut. Këtu janë të përfshira, jo vetëm kompanitë e mikrofinancës, por edhe një rrjet kompanish të tjera që merren me mbledhjen e borxheve, të denoncuara edhe nga vetë qeveria si të përfshirë në skema mafioze.
E gjitha kjo është një çmenduri që duhet të marrë fund. Jo me masa gjysmake si ajo e Bankës së Shqipërisë për tavanin e normave të interesit, por me masa edhe më të ashpra. Të lejosh borxhin grabitqar në fushën e kredisë konsumatore është një marrëzi financiare, por edhe kokteji me ingredientët perfektë për katastrofë sociale. Kujt i duhet kjo? Por pikëpyetja me e madhe është pse heshtin Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë?