Thuajse të gjitha sheshet e qyteteve të Shqipërisë, u tejmbushën këtë të mërkurë, nga qindra besimtarë myslimanë, të cilët falën Fitër Bajramin.

Durrës
Kremtimi i kësaj dite, siç është bërë traditë, në qytetin bregdetar ka nisur në 6:20 të mëngjesit, kur dhjetëra besimtarë myslimanë falin namazin, ndërsa kanë shkëmbyer mesazhe paqeje mes njërit-tjetrit, duke uruar mbarësi dhe begati për të gjithë besimtarët shqiptarë. Të gjithë besimtarët, së bashku me familjet mblidhen në drekën e madhe të Fitër Bajramit që simbolizon mbylljen e muajit të sakrificës.

Falja E Namazit në Korçë
Pas muajit të shenjtë të Ramazanit besimtarët myslimanë në Korçë mëngjesin e kësaj të mërkure u mblodhën për të falur namazin e festës së shenjtë të Fitër Bajramit. Ceremonia ka nisur rreth orës 06:30 minuta në sheshin e xhamisë Iljaz Bej Mirahori. Riti i faljes së Fiter Bajramit u drejtua nga myftiu Ledian Cikalleshi i cili në këtë ditë të shenjtë uroi të gjithë besimtarët gjithashtu edhe besimtarët uruan njëri-tjetrin për sa më shumë mbarësi, begati në familjet e tyre.

Krujë dhe Fushë-Krujë
Pasi kane përmbyllur 30 dite agjërim të muajit të ramazanit, besimtaret mysliman në Krujë dhe Fushë-Krujë kanë festuar festen e Fiter Bajramit. Falja e namazit është kryer në orët e para të mëngjesit në dy stadiumet e qytetit. Faljen e namazit në Fushë-Krujë e drejtoi hoxhë Muharrem Vrana, i cili u foli besimtarëve duke përcjellë mirësinë e bajramit dhe të mirat e këtij muaji sakrifice te ramazanit.

Elbasan
Atmosfera festive e Fitër Bajramit ka mbizotëruar ngado në çdo shesh dhe xhami të qyteteve e fshatrave të shtatë bashkive të Qarkut të Elbasanit. Në sheshin “Gensher”, para kalasë historike të qytetit të Elbasanit rreth 5 mijë besimtarë mes të cilëve edhe shumë femra kanë marrë pjesë në ceremoninë e Fitër Bajramit ose Bajramit të Madh.