Ishim mësuar ta shikonim si imazh televiziv, ndaj të shumtë ishin ata që u befasuan kur Floriana u bë pjesë e politikës. Sot Garo mban postin e drejtoreshës së komunikimit të Komisionit të Rithemelimit dhe shfaqet në krah të Berishës në çdo dalje publike. Ndërkaq, vjehrra e saj e angazhuar me politikë i ka publike deklaratat kundër ish-kryeministrit Berisha.

Ditët e fundit ajo bëri një reagim të ashpër në rrjetet sociale lidhur me peticionin për largimin e ambasadores Yuri Kim, por duket se klima politike nuk ndikon në marrëdhënien me nusen e saj. E kontaktuar nga “Panorama Plus”, Ratkoceri u shpreh se në këtë pikë të dyja kanë rënë dakord për të mos rënë dakord.

“Reagimi im nuk ka fare lidhje me nusen time. Ajo është amerikane jo vetëm me pasaportë, po edhe me shpirt dhe me besim. Nuk kemi objekt bisede politikën. Madje, qeshim me titujt bombastike të gazetave. Opinionet tona të kundërta nuk influencojnë fare në marrëdhënien tonë. Ne respektojmë mendimin ndryshe të njëra-tjetrës dhe kjo është themeli ku bazohet marrëdhënia jonë, sigurisht së bashku me dashurinë dhe respektin për njëra-tjetrën. Kemi rënë dakord që në këtë pikë nuk jemi absolutisht dakord”, ka rrëfyer vjehrra e Florianës, duke zbuluar kështu për herë të parë ndikimin që kjo temë ka në familjen e saj.