Mira Konçi dhe Shpëtim Saraçi prej gati një viti nuk janë më burrë e grua, dhe tashmë as zyrtarisht. Një ndër çiftet më të dashura për publikun në vitet 2000, çuditën jo pak të gjithë kur i dhanë fund martesës 25-vjeçare dhe duhet thënë se nuk ka qenë një ndarje e lehtë.

Pas ndarjes së tyre, Mira është rikthyer për herë të parë në Shqipëri, ku dhe kaloi disa javë, bashkë me familjen e saj. Ky ishte udhëtimi i parë si “single” pas ndarjes ligjore me kompozitorin Shpëtim Saraçi. Në rrjetet sociale, ajo publikoi disa foto nga udhëtimi i shkurtër që pati në vendin tonë, duke zbuluar se me kë e kalonte kohën.

“Me familjen”, shkruante në një nga postimet këngëtarja, ku shfaqej së bashku me vajzën e saj, Erën, dhe disa të afërm të tjerë. Natyrisht që në këtë tablo familjare bie në sy mungesa e ish-bashkëshortit të saj, Shpëtim Saraçi. Por me të përfunduar pushimet e shkurtra, Mira është rikthyer në Nju Jork, ku dhe ka vendosur t’i rikthehet karrierës në muzikë.

Ajo aktualisht po punon me disa produksione dhe njëkohësisht pas periudhës së vështirë të divorcit, tashmë do të rikthehet edhe në netët live për shqiptarët e Amerikës, por jo vetëm. Ndryshe nga sa ishim mësuar ta shikonim më parë, këngëtarja tashmë është më aktive në rrjetet sociale, ku veçmas projekteve që po realizon, publikon më shpesh foto edhe nga përditshmëria. Ajo që na bie në sy është fakti se Mira shfaqet gjithnjë në top-formë dhe e kuruar deri në detaj.

Në “Instagram”, për këngëtaren shqiptare nuk mungojnë as komentet nga kolegët, por edhe nga fansat, që duket se e kanë pritur këtë rikthim të sajin. Ndërkohë, ajo dhe ish-bashkëshorti i saj nuk ndiqen në rrjetet sociale, duke shkëputur kështu edhe komunikimin virtual pas divorcit jo të lehtë që patën. Çifti i njohur në muzikë i viteve ’90, Shpëtim Saraçi dhe Mira Konçi, i kanë dhënë fund martesës në mënyrë aspak të zakontë, 25 vite pasi u bënë të famshëm në publik për romancën e tyre.

Ai, një krijues muzike, dhe ajo, ekonomistja që u afirmua si këngëtare me koncertin recital të parë në Shqipëri, ishin ndër të paktat çifte të asaj kohe, që e zbuluan historinë e tyre para kamerave, gjatë një realizimi filmik të transmetuar në ekranin e RTSHsë. Tashmë prindër të dy fëmijëve, Erës dhe Drinit, ata i kanë dhënë fund kësaj historie të gjatë mes artistësh.

Historia e ndarjes ka filluar herët, që kur ata kishin pak kohë që ishin vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por disa mosmarrëveshje e çuan në konflikt marrëdhënien e tyre, derisa Shpëtimi vendosi të rikthehej në Shqipëri para pandemisë, ku dhe investoi për studio muzikore në Tiranë, me aparatura të fjalës së fundit. Shpenzimet e shumta për biznesin e ri krijuan edhe krisjen e marrëdhënies së tyre, duke bërë që Shpëtimi të marrë vendimin për të qëndruar në Tiranë, ndërsa Mira me dy fëmijët, në SHBA.

Pavarësisht ndarjes, Shpëtimi duket se ruan marrëdhënie të mirë dhe shumë të afërt me fëmijët, sidomos me vajzën, së cilës dhe i ka komentuar në “Instagram”, ku e pyet se kur do të vijë në Shqipëri pasi e ka marrë malli shumë. Ndërsa me të birin, Drin, nuk dihet sa të afërta i ka marrëdhëniet, pasi ai është këngëtar i muzikës rap dhe krijon vetë gjithçka, edhe pse e ka babain muzikant.

Çifti, që rreth katër vite më parë vendosën të shpërnguleshin në SHBA, nuk e kishte menduar se në kontinentin e largët do t’u ndaheshin dhe rrugët e jetës pas çerek shekulli bashkë. Saraçi u largua nga vendi i tij i zhgënjyer, duke u shprehur: “Di që megjithëse punova me gjithë shpirt e pasion, për rreth 30 vite në Shqipëri, prapëseprapë përfundova duke mbrojtur të drejtën time nëpër gjyqe.Megjithatë, njerëzit e vendit tim i dua dhe i respektoj pafund”, u shpreh ai pasi e nxorën pa punë në RTSH.

Por duket se kjo shpërngulje për një jetë më të mirë solli probleme në jetën familjare të çiftit të artistëve. Shpëtimi dhe Mira i dhanë fund martesës së tyre në SHBA dhe këtë verë kompozitori u rikthye në Shqipëri, por i vetëm.

Në fakt, Saraçi ishte rikthyer pas problemeve me bashkëshorten e tij dhe zgjodhi bregdetin për të rimarrë veten pas një ndarjeje jo të lehtë. Duket se ai kishte vendosur të rikthehej në vend, ku dhe nisi menjëherë punën si kompozitor, në studion për të cilën kishte investuar shuma të mëdha parash, shpenzime që ishin kthyer në mollë sherri për çiftin.

Në rrjetet e tij sociale ai shfaq foto përgjatë punës së tij në studio, duke lënë të kuptohej që kthimi ishte përfundimtar. Nga ana tjetër, në rrjetet sociale për herë të parë është shfaqur edhe Mira Konçi, e cila prej vitesh kishte zgjedhur të ruante një profil të ulët në media. Në lidhje me lajmet e ndarjes, asnjëri s’ka folur publikisht, por Mira ka zgjedhur të flasë me nënkuptime.

Një “InstaStory” në profilin e Mira Konçit ishte një kunj i vërtetë, pasi të gjithë po mendojnë se ia ka drejtuar Shpëtim Saraçit. “Asnjëherë mos bëj sërish mik një person që është përpjekur të të shkatërrojë karakterin, paratë apo marrëdhëniet e tua. Një gjarpër thjesht ndërron lëkurën e tij për t’u bërë një gjarpër më i madh”, shkruhet në shprehjen që ka shpërndarë ajo.

Ndërkohë, në kulmin e tensioneve dhe sherrit që la pas ky divorc, vajza e çiftit foli për një familje të qëndrueshme, larg lajmeve që qarkullonin. Në një intervistë dhënë para fundvitit, Era la të kuptohej se në shtëpinë e tyre nuk kishte asnjë konflikt dhe se festat do t’i gjenin të bashkuar. Sa u përket planeve familjare për fundvit, Era tha se po planifikojnë që të mblidhet e gjithë familja bashkë.

“Po, do të mblidhemi të gjithë bashkë, ashtu është plani. Momentalisht babi është në Shqipëri me disa projekte muzikore, ndërsa ne jemi këtej. E di që do të mblidhemi të gjithë bashkë, por nuk e kemi vendosur akoma nëse në Shqipëri apo në Amerikë”, tha Era. Nuk dihej nëse me “do të mblidhemi të gjithë”, i referohej edhe babait të saj, i cili që pas ndarjes, ka zgjedhur të mos shkojë në SHBA. Por duket se ky divorc ka pasur edhe anën e mirë për këngëtaren e famshme, që këtë herë po provon famën në kontinentin e largët, këtë herë si beqare./panoramaplus