Alexander Lukashenko ka kërcënuar gjatë një interviste me një gazetar japonez se Rusia mund të godasë Ukrainën me armë bërthamore.

“Si përfundon lufta në rast të fitores së njërës prej palëve – Japonia e di këtë më mirë se unë”, u shpreh fillimisht presidenti i Bjellorusisë.

Lukashenko i referohet bombardimeve të Shteteve të Bashkuara mbi qytetet japoneze të Hiroshima-s dhe Nagasaki-t më 6 dhe 9 gusht të vitit 1945.

“Sot Rusia i ofron Ukrainës, Putini – Zelenskit, një version absolutisht të pranueshëm të traktatit. Dhe sot është ende e mundur që Ukraina dhe Rusia të arrijnë një marrëveshje, dhe Zelensky ta nënshkruajë këtë marrëveshje me Putinin”, shtoi më tej zyrtari i lartë bjellorus.

Sipas tij, nëse Zelensky nuk pajtohet me këtë, atëherë, ai do të duhet të nënshkruajë një akt dorëzimi brenda një kohe të shkurtër.

“Rusia nuk do të humbasë në këtë luftë”, theksoi Lukashenko.