“Ka një spiun”, Josif Gorrea rreshtore stafit pas dekonspirimit të tenderit 1 miliard lekë për Yzedin Bozhajn

Dekonspirimi i planit mafioz për dhënien e tenderit të shkollës së Remasit në Divjake Yzedin Bozhajt ka ngritur alarmin te biznesmeni dhe kryebashkiaku Josif Gorrea.

Burime të Gazeta Jonë brenda bashkisë bëjnë me dije se Gorrea ka reaguar me nervozizëm ndaj anëzarëve të KVO-së për dekonspirimin duke thënë “mes jush ka një spiun”.

“Ka një spiun”, Josif Gorrea rreshtore stafit pas dekonspirimit të tenderit 1 miliard lekë për Yzedin Bozhajn
“Ka një spiun”, Josif Gorrea rreshtore stafit pas dekonspirimit të tenderit 1 miliard lekë për Yzedin Bozhajn

Pas kësaj kryebashkiaku i kapur me presh në duar ka dhënë porosi që tani e tutje të mos dalë asnjë informacion deri më datë 14 shtator kur është përgatitur shpallja fituese e kompanisë “Shëndëlli” shpk e Yzedin Bozhajt.

Burime bëjnë me dije se Bozhaj dhe Gorrea tani po shohin dhe mundësinë e futjes së një operatori tjetër për të fshehur gjurmët pasi u kapën zbuluar.

Tenderi 1 miliard lekë
Josif Gorrea
ka firmosur një tender me vlerë më shiumë se 1 miliard lekë për një shkollë fshati! Nuk e lexuar gabim: Josif Gorrea ka hapur pak ditë më parë një tender me vlerë 1 miliard e 80 milionë lekë për shkollën e fshatit Remas!

Burime bëjnë me dije për Gazeta Jonë se Gorrea ia ka qepur kostumin sipas trupit Yzedin Bozhajt me kompaninë “Shëndëlli” shpk dhe po bëhen gati ta shpallin fitues.

Bozhaj është një ndër përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike për ndërtime dhe rikonstruksion shkollash përmes procedurave të dyshimta.

Burime bëjnë me dije se edhe kushtet teknike të pjesëmarrjes në tender janë caktuar fiks siç i duhet kompanisë “Shëndëlli” shpk që të dale fituese.

Gazeta Jonë do të ndjekë në vijim zhvillim këtë tender, ku fituesi do të shpallet zyrtarisht në 14 shtator 2023. Deri atëhere ka kohë, por le të vijojmë me detajet e tenderit:

Tenderi me objekt “Rikonstruksion i objekteve egzistuese, shtesë anësore dhe ndërtim palestre në shkollën e mesme të bashkuar Remas” me fond limit 92 428 214 lekë pa TVSH (rreth 1 miliard e 80 milionë lekë me TVSH) është shpallur në 30 gusht dhe kompanitë kanë 15 ditë kohë që të japin ofertat e tyre.

Kjo është një periudhë e detyrueshme nga ligji pasi burimet bëjnë me dije se tashmë fituesi është caktuar.

Shuma që ka vënë në dispozicion Bashkia Divjakë për rikonstruksion shkolle (jo ndërtim) dhe ndërtimin e një palestre është kolosale.

Kjo është shuma më e madhe e vënë në dispozicion për shkollat gjatë viteve të fundit dhe Gorrea po guxon shumë në një kohë kur “shqiponjat” e SPAK po fluturojnë ulët në qiellin e korrupsionit shqiptar. Deri më tani SPAK ka bërë një punë për t’u vlerësuar në drejtim të arrestimit të kryebashkiakëve të korruptuar, por duket se do të ketë ende punë në vijim.
Në dokumentet e tenderit stafi i Bashkisë Divjakë ka futur edhe projektin e shkollës dhe palestrës si edhe preventivin e punimeve duke arritur çuditërisht në një fond limit tepër të madh. Një projekt i ngjashëm u tenderua pak ditë më parë nga Bashkia Cerrik ku Andis Salla i tha “viston” kompanisë së Eral Myftarajt dhe Yzedin Bozhajt për rikonstruksionin e një shkolle dhe ndërtimin e palestres. Fituese këtu u shpall kompania “Meteo” shpk e Myftarajt kurse “Shëndëlli” shpk e Bozhajt shërbeu si mbështetëse pasi ka më shumë volum pune. Burime bëjnë me dije se e njëjta skemë, e kthyer përmbys do të aplikohet edhe në Divjakë me lejen e Josif Gorreas.

Projektet janë të njëjta, kompania e projektuar si fituese e njëjtë, kurse buxheti në Divjakë më i madh se në Cerrik. Gazeta Jonë do të ndjekë nga afër këtë procedurë tenderi që duket një dosje e denjë për SPAK. / Gazeta Jonë