Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka zhvilluar sot një takim me efektivët e Forcës Operacionale në Policinë e Durrësit.

Në një mesazh të shpërndarë për mediat, Balla thotë se kjo forcë, që konsiderohet si një prej më të përgatiturave për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë, do të ketë mbështetjen e tij maksimale.
Ministri Balla, gjithashtu i ka paralajmëruar duke thënë se kushdo që nuk tregon gatishmëri “për të shkuar përtej vetes”, për rritjen e kontributit “për kauzën e përbashkët”, nuk do të qëndrojë në atë pozicion që ka.

“Çdo ditë në detyrën e Ministrit të Brendshëm po njoh djem dhe vajza, punonjës të Policisë së Shtetit në shërbimet bazë të cilët kanë dedikimin dhe angazhimin e duhur në realizimin e detyrës. Të tillë janë djemtë e Forcës Operacionale Durrës, të cilët po kryejnë çdo ditë goditje të rëndësishme ndaj krimit.

Prandaj sot dua ta përsëris se kush do të jetë i gatshëm për ta bërë këtë në pozicionin që ka në vijën e këtij fronti të përbashkët, do të ketë mbeshtetjen time pa rezerva ne çdo hap dhe derën time të hapur pa orar për çdo nevojë. Ndërsa kush nuk do të tregojë gatishmërinë për të shkuar përtej vetes, duke e rritur kontributin për kauzën e përbashkët, do ta ketë të pamundur të qëndrojë në pozicionin që ka”, ka deklaruar Balla.