Artisti shqiptar, Gjon Muharremaj i njohur me emrin e artit Gjon’s Tears u shpreh se ka shumë bullizëm në rrjete sociale dhe se kjo i dëmton fëmijët. I ftuar këtë të shtunë në “A live night”, Gjoni dha një mesazh për të gjithë prindërit që duan t’i bëjnë fëmijët e tyre pjesë të ekranit, duke theksuar se televizioni nuk është një lojë për të vegjlit.

Gjoni tregoi një prej eksperiencave të pakëndshme që ka pasur kur ishte akoma i vogël pas pjesëmarrjes në “Albania’s Got Talent”. Ai tha se kishte njerëz që e ofendonin në Facebook. Gjoni tregon se llogarinë e tij e menaxhonte e ëma dhe se atë nuk e linte që ta prekte celularin, por që rastësisht kishte parë një ditë ofendimet dhe ishte prekur.

“Gjithmonë them çfarë pritje ke ti, se kur është lojë është lojë, por prindërit thonë do ta bëj star fëmijën por nuk punon, nuk bën, se industria është ndryshe. Jo mos e ço fëmijën aty se nuk e paske kuptuar se është lojë, se është me bo karrierë, jo, por kur e kupton lojën po. Po shoh akoma më shumë fëmijë që kanë probleme me rrjete sociale, njerëzit i shajnë. Me e kuptu që fëmijë një gjë aq të keqe që të vjen në fytyrë, është shumë e komplikuar. Mbaj mend kur bëra ‘Albania’s Got Talent’ kam pasur njerëz që më shanin çdo ditë në Facebook. Mami e ka pas një Facebook edhe më thoshte mos e prek kurrë, se është puna ime se na shkuan ndonjë producent. Mbaj mend që e kam hap një herë , kishte aq shumë njerëz që më kishin shajt, që nuk e kuptova me të vërtetë pse, se unë nuk kam bërë asgjë të keqe, nuk kam shajt njeri, por do të ketë gjithmonë njerëz kështu, prandaj duhet të jesh i përgatitur. Të jesh në emision në televizion sot është e komplikuar. Nuk është një lojë për një fëmijë, është shumë serioze,”- tha Gjoni.