Një turisti rumun që ka kaluar 30 ditë pushime në vendin tonë ka ndarë eksperiencën me bashkëatdhetarët e tij.
Në forumin dedikuar pushimeve në Shqipëri, ai, përveç fjalëve të mira për vendin tonë, tregon edhe anët negative.
Sipas tij, turistët e huaj kanë më shumë të ngjarë të bien viktima të mashtrimeve nga taksistët. Ai thotë se taksitë e Shqipërisë, kur shohin që klienti është i huaj, kërkojnë shuma të mëdha parash për udhëtime shumë të shkurtra.
Turisti rumun thotë se një tjetër aspekt negativ është ai i punësimit të fëmijëve si kamarierë në bare apo restorante. Ata hutohen, ngatërrohen dhe nuk ofrojnë shërbim të mirë.
“Kujdes me kartëmonedhat, njëherë pagova dy birra me një kartmonedhë 5,000 lekëshe në bregdet, dhe po shikoja kamarieren duke pritur të vinte të më kthente restot, kaluan mbi 30 minuta”, thotë ai.
Ai thotë se një taksist në Sarandë i kërkoi 60 euro për tre udhëtime të vogla brenda qytetit.
Turisti gjithashtu u rekomandon bashkëatdhetarëve të tij të kalojnë pushime në Korfuz, pasi sipas tij çmimet janë më të lira dhe shërbimi është më i mirë.
“E dini pse? Sepse grekët e dinë që të vetmet të ardhura për ta janë nga turizmi dhe ndaj kanë ndërtuar një marrëdhënie shumë më të mirë me turistët”, shprehet ai. Vlerësimi i tij është pasqyruar në disa medie rumune.