Të shtëna me armc janë raportuar në Skrapar, ku dy 19-vjeçarë kanë qëlluar drejt automjetit të bashkëmoshatarit të tyre.

Mësohet se dy të rinjtë Anxhelo Gërmenji dhe Faredin Çela kanë qëlluar me armë në drejtim të bashkëmoshatarit, Igli Dosti por fatmirësisht ky i fundit në ato momente ndodhej jashtë automjetit.

Nga ngjarja nuk ka të lënduar dhe se pas të shtënave, dy 19-vjeçarët janë larguar drejt një zone të pyllëzuar. Uniformat blu janë venë në ndjekje të tyre.

Njoftimi i policisë:

Qëlluan me armë zjarri pas një konflikti, braktisën automjetin gjatë ndjekjes nga Policia dhe u larguan në një zonë të pyllëzuar, identifikohen dhe shpallen në kërkim dy 19-vjeçarë. Në Çorovodë, dyshohet se pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi A. G., 19 vjeç në bashkëpunim me shtetasin F. Ç., 19 vjeç, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të shtetasit I. D., 19 vjeç, i cili në momentin e qëllimit, ishte jashtë automjetit. Nga të shtënat nuk ka asnjë shtetas të dëmtuar.

Falë reagimit të shpejtë të Policisë, u bë i mundur identifikimi i autorëve të këtij rasti, të cilët kur kanë konstatuar se po ndiqeshin nga shërbimet e Policisë, kanë braktisur automjetin dhe janë larguar në një zonë të pyllëzuar. Shërbimet e Policisë vijojnë ende ndjekjen e tyre dhe kontrollin e zonës, me qëllim kapjen e tyre.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.