Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar menjëherë pasi Këshilli i PD-së miratoi rezolutën për zgjedhjen e presidentit të Republikës.
Në rezolutë vendosej kushti i pranimit të kandidaturave që do të propozoheshin nga Rithemelimi dhe aleatët e tjerë opozitarë.
Në një postim në rrjetin e saj social, Spiropali shkruan se nuk e njihnin një vendim të tillë, sepse vinte nga një person i shpallur non-grata, duke shënjestruar ish kryeministrin Sali Berisha.
Spiropali: Nëse është e vërtetë që Saliu paska mbledhur një kuvend për të vendosur kusht që hyjnë në negociata për Presidentin e ri vetëm nëse pranohet kandidati i tyre, atëherë ngushëllime kuvendarëve në fjalë dhe një kujtesë nga ana jonë: Grupi Parlamentar Socialist nuk njeh asnjë vendim të asnjë instance që buron nga shkulmi anti-amerikan i një personazhi të listës së zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nuk ka ndërmend të ketë asnjë kontakt me atë burim të së keqes për Shqipërinë.