Si Fredi Beleri, u kthye nga një kandidat lokal i Himarës, në zgjedhjet lokale 2023, për koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’ në një personazh qendror, për politikën e ditës?

Çfarë përfaqëson ky individ në Himarë dhe për qarqet greke, në një zonë shqiptare e cila ka qenë gjithmonë e nxehtë midis dy shteteve, Shqipërisë dhe Greqisë?

Ku shpesh politika e jashtme nacionaliste në vendin fqinj, ka pretenduar se Himara është një minoritet grek.

Sigurisht që për çdokënd kandidimi  nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ në Himarë, i personazhit të Fredi Belerit ishte një habi.

Kjo për vetë personin kontrovers që Beleri përfaqëson në opinionin publik. Një personazh i përfolur për një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në fillimin e viteve 90 në Shqipëri.

Ku më 10 prill 1994, një formacion paraushtarak nacionalist grek, i përbërë nga 8 pjesëtarë, i vetëquajtuar ‘Pirro i Parë’, i cilësuar si krahu i armatosur i lëvizjes për çlirimin e Vorio Epirit (MAVI), organizatë që kishte për synim bashkimin e një pjesë të Shqipërisë me Greqinë, në orën 2.40 të mëngjesit, u fut 4 km në thellësi të territorit shqiptar, në fshatin Peshkëpi të Dropullit, dhe sulmoi postën kufitare shqiptare.

Aty ku pasi vrau ushtarin roje, Arsen Gjini, nuk kurseu  as komandantin e stërvitjes, Fatmir Shehu.

Duke e lënë të vdekur edhe pse ky i fundit u bëri thirrje të kursenin ushtarët që në këtë moment ishin në gjumë në kapanon.

Në këtë ngjarje mbetën të plagosur edhe 3 ushtarë të tjerë. Ndërsa në dëshminë e tyre ata thanë më pas, se njësia paraushtarake greke ndërsa qëllonte bërtiste: ‘Këto i keni për Vorio Epirin’.

“Pasi kryen këto akte të rënda kriminale ata thërrisnin: “Këto i keni për Vorio Epirin!” si dhe “Mos kujtoni se ne kemi harruar”. Më pas personat e paidentifikuar kanë hapur kasafortën e armatimit, kanë marrë një sasi armësh dhe në ikje nga reparti, kanë marrë të lidhur në formë pengu ish nënoficerin Qemal Sulo Stroka duke kaluar në drejtim të kufirit grek.”, thuhet në dëshminë e tyre.

Një nga personat që u dyshua se ishte pjesë e këtij formacioni paramilitar grek, në atë kohë u dyshua të ishte edhe Fredi Beleri.

Pas hetimeve që u kryen edhe nga pala greke, armët e repartit të Peshkëpisë, u gjetën në një banesë në Athinë që i përkiste një shtetasi nga Himara, me mbiemrin Kokaveshi, i cili kishte lidhje me Fredi Belerin.

Por Beleri nuk u dënua kurrë për masakrën e Peshkëpisë.

Ndërkohë që emri i tij qarkulloi gjatë si i lidhur me këtë ngjarje, ku u cënua sovraniteti i Shqipërisë.

Ky sulm sipas gazetës ‘Elefterotipia’, u mor përsipër më pas nga vetë organizata ‘MAVI’.

Masakër e cila u shoqërua edhe me ngrirje të marrëdhënieve diplomatike mes Greqisë dhe Shqipërisë.  Ku qeveria shqiptare protestoi në Këshillin e Kombeve të Bashkuara, ndërsa pala greke u mundua ta kalonte në qetësi. Dosja e Masakrës së Peshkëpisë, u hap për herë të fundit në vitin 2019, nga ish- prokuroria për Krime të Rënda, por u pushua nga SPAK.

Emri i Fredi Belerit do të rikthehej sërish në skenë në vitin 2003, kur ai u dënua me 3 vite burgim për nxitje dhe urrejtje nacionaliste.

Vendim ky që u dha nga gjykata e Vlorës në vitin 2003, por pasi u la i lirë, Fredi Beleri rriti ambiciet e tij, tashmë duke tentuar politikën.

Në vitin 2015 ai do të kandidonte nën siglën e PBDNJ, por duke mos mundur të shpallej fitues.

Kjo nuk e ndaloi që të rikandidonte këtë herë në zgjedhjet e vitit 2023.

Si kandidat i opozitës për bashkinë e Himarës pas marrëveshjes Berisha-Dule, por ndërsa kandidoi për herë të dytë për një mandat bashkiak, ai u bë pre e një sulmi verbal dhe përqeshës nga kryeministri Rama, i cili jo e vetëm gjeti rastin ta përbuzë në takimet e tij elektorale, por edhe të shtojë tonet kërcënuese ndaj tij.